SHBA-të dhe BE-ja shpresojnë të tërheqin 800 miliardë dollarë fonde publike dhe private për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës, pasi Rusia të përfundojë agresionin e saj, sipas një dokumenti të siguruar nga POLITICO .

Dokumenti 18-faqësh përshkruan një plan 10-vjeçar për të garantuar rimëkëmbjen e Ukrainës me një rrugë të përshpejtuar drejt anëtarësimit në BE.


Komisioni Evropian i qarkulloi planet në kryeqytetet e BE-së përpara samitit të liderëve të enjten në mbrëmje, ku u trajtua dokumenti, i datës 22 janar, sipas tre zyrtarëve dhe diplomatëve të BE-së, të cilëve iu dha anonimiteti për të folur rreth temës së ndjeshme.

Ndërsa Brukseli dhe Uashingtoni po grumbullojnë qindra miliarda dollarë në fonde afatgjata dhe po e paraqesin Ukrainën si një anëtare të ardhshme të BE-së dhe destinacion investimi, strategjia varet nga një armëpushim që mbetet i pakapshëm - duke e lënë planin e prosperitetit të cenueshëm për sa kohë që luftimet vazhdojnë.

Strategjia e financimit shtrihet deri në vitin 2040 së bashku me një plan operativ 100-ditor për të nisur menjëherë projektin.

Por plani i prosperitetit do të ketë vështirësi në tërheqjen e investimeve të jashtme nëse konflikti vazhdon, sipas kompanisë së investimeve, BlackRock.

Ndryshe, SHBA-të pritet të luajnë një rol të spikatur në rimëkëmbjen e Ukrainës.

Në vend që ta paraqiste Uashingtonin kryesisht si donator, dokumenti e pozicionoi SHBA-në si një partner strategjik ekonomik, investitor dhe i besueshëm për rimëkëmbjen e Ukrainës.

Gjatë 10 viteve të ardhshme, BE-ja, SHBA-ja dhe organet financiare ndërkombëtare, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, janë zotuar të shpenzojnë 500 miliardë dollarë kapital publik dhe privat, thuhet në dokument. /Telegrafi/