LAJMI I FUNDIT:

Zbardhet kërkesa e prokurorisë për të ndaluarit e sherrit te Kepi i Rodonit

Zbardhet kërkesa e prokurorisë për të ndaluarit e sherrit te Kepi i Rodonit

Prokuroria e Durrësit pritet të kërkojë masën “Detyrim paraqitje” për 8 të arrestuarit gjatë konfliktit të ndodhur të dielën te “Kepi i Rodonit” në Durrës, ku i përfshirë ishte dhe ish-deputeti Mark Frroku.

Arrest me burg në mungesë pritet të kërkohet vetëm për shtetasin Besnik Toma, kushëririn e ish-deputetit, i cili dyshohet se është personi që qëlloi në ajër me armë zjarri.


Konflikti ndodhi mes përfaqësuesve të kishës dhe banorëve të zonës në lidhje me një pronë mbi të cilën të dyja palët zotërojnë certifikatë pronësie.

Si përfaqësues të kishës, u arrestuan shtetasit Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri.

Nga pala tjetër u arrestuan shtetasit Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka.

Konflikti mes dy grupeve nisi si përplasje fizike me sende të forta dhe agravoi deri në përdorimin e armës.

Banorët tentuan të ndalonin përfaqësuesit e kishës të rrethonin truallin shumë pranë detit, në një nga zonat më të lakmuara në Durrës.

Kundërpërgjigjja e tyre solli përshkallëzimin e konfliktit.

Në lidhje me ngjarjen u procedua në gjëndje të lirë shtetasi Ndue Sokoli për veprën penale “Moskallzimi i krimit”.

Mark Frroku dhe përfaqësuesit e kishës akuzohen për veprat penale “Kanosja”, “Moskallzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike.

Ndërkohë të arrestuarit nga pala tjetër akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “ Vetëgjyqësia”. /Telegrafi/