LAJMI I FUNDIT:

Z-Mobile i jep kohë Telekomit deri më 15 qershor për përmbarimin e borxhit

Z-Mobile i jep kohë Telekomit deri më 15 qershor për përmbarimin e borxhit

Bedri Istrefi, kryeshef ekzekutiv i Telekomit, dhe Besa Shatri, kryetare e Bordit, në mbledhjen e përbashkët me komitetin ndërministror për ndërmarrje publike i udhëhequr nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe përfaqësuesit e kompanisë Dardafon.net (Z mobile), janë zotuar që të dalin me një plan konkret të shlyerjes së detyrimeve ndaj Z Mobile, sipas vendimit të arbitrazhit ndërkombëtar.

Me këtë propozim janë pajtuar edhe përfaqësuesit e Z Mobile, të cilët, në mënyrë që t’i jepet kohë Telekomit për të përpunuar planin, kanë pranuar që procesi i përmbarimit të detyrimeve të shtyhet deri më datën 15 qershor 2019.


Palët janë shprehur të bindura se kjo qasje nënkupton mënyrën më të mirë për të ecur përpara, duke i mbrojtur interesat e të dyja ndërmarrjeve, si dhe duke respektuar ligjshmërinë e obligimeve kontraktuale. Anëtarët e Komitetit janë zotuar të shikojnë opsionet e garantimit nga Qeveria të kredisë investive për Telekomin.

Të pranishëm në  takim ishin edhe Ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, Zv.ministri i Financave, Fatmir Gashi dhe Zv. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bekim Jupa.

Kërkesa e komitetit ndërministror ishte që të krijohet një mundësi e re për të dyja palët që të punojnë në një plan program të ri të pagesave, pa e ndërlidhur me punën e negociatave dhe rezultatin final të tyre dhe pa presion që negociatat të përfundojnë në favor të njërës palë.

Borxhi ndaj kompanisë në fjalë është vendosur nga arbitrazhi ndërkombëtar dhe është konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nga Gjykata e Apelit, prandaj në këtë moment edhe është i pakontestueshëm./Telegrafi/