LAJMI I FUNDIT:

Ymeri: Zgjedhja e Thaçit president e papranueshme

Ymeri: Zgjedhja e Thaçit president e papranueshme

Zgjedhja e Hashim Thaçit president i vendit nga ana e partive opozitare në Kosovës është e papranueshme. Sipas zyrtarëve të saj në procesin e zgjedhjes së Presidentit ka pasur ndërhyrje dhe shantazhe ndaj deputetëve.

Kryetari  i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri hedh dyshime se në zgjedhjen e Hashim Thaçit president ka pasur lëshime të reja ndaj përfaqësuesve të komunitetit serb nga ana e koalicionit qeverisës.


“Mënyra se si është zgjedhur presidenti është absolutisht e papranueshme. Ne e kemi thënë vazhdimisht se këto institucione qendrore lëngojnë për nga legjitimiteti demokratik, veçanërisht pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese, se si kjo qeveri udhëhiqet nga dy njerëz të cilët e kanë shkelë kushtetutën duke e kërcënuar rendin kushtetues dhe sovranitetin e vendit.

“Dhe në këtë drejtim, konsiderojmë që kjo maskaradë që e pamë të premten, të këtij që po e quajmë proces të zgjedhjes së presidentit, është bërë nga një institucion, së pari me legjitimitet të cunguar, e në anën tjetër edhe vet procesi ka qenë proces i cili është lehtë i kontestueshëm, duke pasur parasysh mënyrën se si është trajtuar çështja,ka thënë Ymeri në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ai ka thënë se Opozita është duke e shqyrtuar mundësinë që ta kontestojnë zgjedhjen e Thaçit president edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Jemi duke e shqyrtuar dhe jemi në konsultim edhe me dy subjektet tjera opozitare edhe me ekspertët kushtetues e juridik, jo vetëm brenda subjekteve, por edhe jashtë në mënyrë që ta shqyrtojmë mundësinë nëse ka bazë dhe nëse kjo është e mundur që kjo të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese”, është shprehur ai.

Ymeri ka mohuar se ata kanë legjitimuar procesin e zgjedhjes së Presidentit, me prezencën e deputetit të tyre Ilir Deda në këtë seancë. Sipas tij, prezenca e Dedës ka qenë në cilësinë e monitoruesit për  ta vështruar procesin në mënyrë që të pamundësohen keqpërdorimet procedurale në sallën e kuvendit.

Ai  në intervistën për Zërin e Amerikës, ka folur edhe për protesta e Opozitës dhe gjetjen e shisheve me koktej molotovi në tendat e tyre. Për këtë ai ka thënë disa protestues për arsye të ndryshme kanë përdoru masa të cilat nuk kanë qenë të parapara, transmeton lajmi.net.

“Në protesta ka pasur nganjëherë edhe dalje nga skenari, në kuptimin e njerëzve të caktuar, të cilët për arsye të ndryshme, tash nuk dua t’i gjykoj,  kanë përdorur disa masa të cilat nuk kanë qenë të paramenduara. Mendoj që kjo arsyetohet, ose duhet të trajtohet nga dy perspektiva të mundshme që mund të lidhen me njëra tjetrën”.

“ Në njërën anë, duhet të kuptojmë një gjë që pushteti me mënyrën se si është sjellë veçanërisht karshi këtyre dy marrëveshjeve është shndërruar në një pushtet të dhunshëm. Ndërkohë që ky pushtet, i njëjti, shpeshherë këtë dhunë implicite edhe e ka bërë eksplicite edhe brutale, në kuptimin e ndërhyrjes ndaj protestuesve, ndërhyrjes në zyrat e subjekteve politike, në këtë rast lëvizjes Vetëvendosje, siç e keni parë me policë me armë të zhveshura dhe të armatosur deri në dhëmbë”, ka thënë Ymeri.