UEFA ka vendosur një pezullim 10 mujor për mbrojtësin e Athletic Bilbaos, Yeray Alvarez, pas një testi pozitiv antidoping të kryer gjatë një ndeshjeje të Ligës së Evropës kundër Manchester United në fillim të këtij viti.

Futbollisti 28-vjeçar ishte pezulluar përkohësisht që nga momenti kur doli pozitiv, ndërsa ka deklaruar se substancën e ndaluar e kishte konsumuar pa vetëdije.


Në një komunikatë zyrtare, Athletic Bilbao bëri të ditur se UEFA pranoi mungesën e qëllimit nga ana e lojtarit.

“Në vendimin e saj, UEFA pranon se nuk kishte qëllim nga ana e lojtarit, duke e konsideruar të provuar se gëlltitja e substancës së ndaluar ishte për shkak të përdorimit të gabuar të një ilaçi parandalues për rënien e flokëve që i përkiste partneres së tij dhe përmbante substancën e lartpërmendur, pa ndonjë dëshirë të qëllimshme për të përdorur drogë".

Megjithatë, UEFA theksoi se sipas rregulloreve, përgjegjësia mbetet gjithmonë tek sportisti.

“Atletët janë përgjegjës për sjelljen e tyre dhe, si pasojë, mbrojtësi duhet të kishte konfirmuar nëse ilaçi ishte i lejuar përpara se ta merrte atë".

Duke qenë se Yeray pranoi vullnetarisht pezullimin e përkohshëm, sanksioni merr datë prapavepruese që nga 2 qershori 2025, që do të thotë se ai do të jetë i kualifikuar për t’u rikthyer në fushë nga 2 prilli 2026. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app