LAJMI I FUNDIT:

Vuçiq pret që emisari i Trumpit ta vizitojë sërish Beogradin

Vuçiq pret që emisari i Trumpit ta vizitojë sërish Beogradin

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi sot në Davos se pret vazhdimin e dialogut dhe heqjen e taksave të vendosura nga Prishtina për mallrat serbe.

Në tubimin e Forumit Ekonomik në Davos, në të cilin morën pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, presidenti Vuçiq tha se ai foli për problemet që Serbia ka në rajon, ndërsa Thaçi foli më shumë për liberalizimin e vizave.


“Thaçi vuri në dukje se disa në Evropë nuk e mirëpresin marrëveshjen midis Beogradit dhe Prishtinës për të futur një kompani ajrore dhe pyeti nëse kjo ishte për shkak të mbështetjes së SHBA”, tha Vuçiq.

Vuçiq në Davos është takuar edhe me këshilltarin presidencial të SHBA për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien.

Ai tha se pret që i dërguari special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Richard Grenell të vizitojë përsëri Beogradin në ditët në vijim.

“Kemi pasur një bisedë të gjatë, të hapur, të sinqertë dhe shumë miqësore. Unë pres që të takoj Grenell përsëri në Beograd në ditët në vijim”, u tha Vuçiq gazetarëve në Davos.

Vuçiq kujtoi se ai gjithashtu foli me O’Brien në Nju Jork në shtator, si dhe se ata kishin biseduar për linjën ajrore Beograd-Prishtinë disa ditë më parë. /kp/Telegrafi/