LAJMI I FUNDIT:

Vuçiq i dërgon presidentit të ri kroat “urimin më të shkurtër në rajon”

Vuçiq i dërgon presidentit të ri kroat “urimin më të shkurtër në rajon”

Sot, pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se do t’i dërgonte një mesazh urimi presidentit të sapozgjedhur të Kroacisë, Zoran Milanoviq, “sepse kështu veprojnë njerëzit e mirë”, një gjë e tillë edhe ka ndodhur.

Kjo, sipas klix.ba, përcjell Telegrafi, është bërë e ditur pasi “kartolina e Vuçiqit” ishte postuar në faqen zyrtare të Presidentit të Serbisë.


Dhe këtë urim, mediumi në fjalë e ka vlerësuar ndoshta “me përmbajtjen më të shkurtër” nga zyrtarët e rajonit, të cilët uruan sot presidentin e sapozgjedhur të Kroacisë.

“Z. Milanoviq, ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si president i Republikës së Kroacisë”, ka shkruar Vuçiq.

Në urimin e tij zyrtar, Vuçiq nuk ka shprehur ndonjë pritje kur bëhet fjalë për marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Serbisë, shkruan ky medium.

Presidenti i ri i Kroacisë, Zoran Milanoviq i Partisë Socialdemokrate të opozitës (SDP) mposhti presidenten aktuale, Kolinda Grabar-Kitaroviq të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) në pushtet, në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Presidenti i ri i Kroacisë u lind në Zagreb në vitin 1966 ku u diplomua në juridik.

Ai punoi në Ministrinë e Jashtme dhe Çështjeve Evropiane në vitet 1990, dhe pas vdekjes së Ivica Raçan në 2007, ai u zgjodh president i SDP, partia kryesore e qendrës së majtë të Kroacisë. /Telegrafi/