LAJMI I FUNDIT:

Vrasje me thikë në Pogradec për pronën

Vrasje me thikë në Pogradec për pronën
Foto: Ilustrim

Pas 20 vitesh punë në SHBA, Safet Hyskollari nga fshati Gështenjas i Pogradecit, prej 1 viti ishte kthyer në fshat për të kaluar vitet e pensionit, pa e ditur që konflikti me bashkëfshatarin e tij do t’i merrte jetën.

Ngjarja e rëndë u shënua mbrëmjen e së mërkurës, kur autori dhe viktima u konfliktuan për kufirin ndarës të pronës. Sipas të dhënave, viktima Safet Hyskollari po bënte rehabilitimin e rrugës nëpërmjet të cilës futej në banesë dhe kishte vendosur disa tubo shkarkimi për të cilat autori Fatmir Manellari ka pretenduar se ishin futur në tokën e tij, raporton A2 CNN.


Kaq ka mjaftuar që të niste një konflikt verbal mes tyre, ku në nxehje e sipër autori 63-vjeçar nxjerr thikën dhe godet mbi 4 herë 65-vjeçarin, në pragun e shtëpisë së tij.

Ka qenë një fqinj i cili ka bërë transportimin në spital të viktimës me shenja jete, por që ndërroi jetë pak minuta më vonë, ndërkohë që autori ishte larguar në drejtim të paditur, duke u fshehur.

Sipas të dhënave nga policia, por edhe banorë të zonës, ata nuk ishin konfliktuar asnjëherë më parë. I gjithë konflikti kishte nisur të mërkurën e 9 Shtatorit. Viktima Safet Hyskollari njihej si njeri i qetë dhe pozitiv, nuk shkaktonte konflikte me askënd, por nuk thuhet e njëjta gjë për autorin, i cili, sipas një banori, “nuk ishte mirë nga trutë dhe gjaknxehtë”.

“Të dy palët i njoh, autori ishte njeri negativ, ishte pa shkollë, i paditur, për të zënë nuk zihej, por nuk ishte në rregull nga trutë. Viktima ishte njeri i shkëlqyer. Autori nuk ishte njeri që konfliktohej, alkool nuk pinte, por nuk ishte mirë nga trutë. Janë zënë për kufirin ndarës. Viktima e bleu tokën, jetonte vetëm me gruan, fëmijë nuk kishte”, thotë një banor.

I rëndë ka qenë lajmi edhe për familjarët e autorit të ngjarjes, të cilët vdekjen e bashkëfshatarit të tyre e morën vesh nga gazetarët.

Efektivë të shumtë të komisariatit të Pogradecit dhe ndërhyrja e shpejtë po zhvillojnë kërkime intensive në fshat dhe në pyllin e gështenjave, por ende nuk kanë rënë në gjurmët e autorit. Mësohet se autori punonte si marangoz së fundmi, ndërsa vendi ku ndodhi konflikti e pretendonte si pronë të tijën, por pa asnjë dokumentacion. Ai vite më parë kishte punuar në një godinë aty si kovaç dhe prej atëherë thoshte që ishte toka e tij. Ndërkohë, mësohet se nuk ka pasur denoncime në polici më herët për konflikte, pasi nuk kishte pasur asnjë incident të mëparshëm mes autorit dhe viktimës. /A2 CNN/