Tre persona janë arrestuar në Ferizaj, nën dyshimin se kanë sulmuar fizikisht një person duke përdorur edhe mjete të forta.

Rasti ka ndodhur më 13 gusht 2026, rreth orës 06:05, në rrugën “Brigada 161”, ku fillimisht është raportuar si “Lëndim trupor”.


Sipas të dhënave fillestare të hetimit, tre të dyshuarit dyshohet se kanë sulmuar fizikisht viktimën A.SH., duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima fillimisht është dërguar për trajtim në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet reaguese dhe hetuesit e Stacionit Policor në Ferizaj, ndërsa më pas edhe hetuesit dhe krim-teknikët rajonalë, të cilët kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes dhe kanë mbledhur prova e dëshmi relevante.

Në konsultim me prokurorin e shtetit, të dyshuarit D.A., 26 vjeç, dhe A.A., 29 vjeç, janë intervistuar dhe më pas janë ndaluar për 48 orë.

Ndërkaq, për të dyshuarin e mitur A.A., 17 vjeç, është kontaktuar prokurori kujdestar për të mitur, i cili ka lëshuar aktvendim për ndalim prej 24 orësh.

Rasti po hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Policia ka bërë të ditur se për zhvillimet e mëtejshme lidhur me rastin do të njoftojë përmes raportit vijues.