Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten në Ferizaj një shtetas të Maqedonisë së Veriut, i cili rezultonte i kërkuar ndërkombëtarisht përmes INTERPOL-it.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi është kryer më 13 gusht 2026, rreth orës 10:00, nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj dhe Stacionin Policor në Ferizaj.


Gjatë identifikimit të personit, autoritetet kanë konstatuar se ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

I dyshuari kërkohej nga shteti fqinj për veprën penale që lidhet me “blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, vepër e sanksionuar sipas Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut.

Pas arrestimit, rasti i është proceduar organeve kompetente për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.

Me urdhër të prokurorit kompetent, i arrestuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se procedurat e mëtejshme do të zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mekanizmat e bashkëpunimit ndërkombëtar policor.