LAJMI I FUNDIT:

Vrasja në Marmullë të Gjakovës, dëshmitarja thotë se i akuzuari nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për ta ndaluar vrasjen

Vrasja në Marmullë të Gjakovës, dëshmitarja thotë se i akuzuari nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për ta ndaluar vrasjen

Dëshmitarja Shkurte Nikolla, në seancën e rigjykimit të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, tha se i pandehuri Prek Gjugja, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për ta ndaluar të pandehurin Alfred Gjugja për të kryer vrasjen e tani të ndjerit T.B dhe për shkaktim të lëndimit të rëndë trupor të dëmtuarit Anton Nikolla.

Në këtë rast, babë e bir, Prek dhe Alfred Gjugja, akuzohen për rastin e vrasjes së T.B., në Marmullë të Gjakovës. Por, Gjykata Supreme e ka vërtetuar dënimin prej 22 vjet burgim ndaj të akuzuarit Alfred, kurse çështja është kthyer në rigjykim vetëm për të akuzuarin Prek.


“Preka nuk boni kurrëgjë hiç, veç i rrike pas, pas gjuajtjeve qaty ka ndejt” ka thënë dëshmitarja Nikolla, duke shtuar se i akuzuari Prek, nuk kishte tentuar ta ndalte Alfredin që të mos bëhet vrasja.

Sipas dëshmitares, ditën kritike tani i ndjeri T.B, kishte shkuar tek shtëpia e tyre, që të arrinin një marrëveshje me vëllain e të akuzuarit Prek Gjugja, Martin Gjugjën, në lidhje me çështjen e parcelës. Ajo thotë se Martini nuk kishte ardhur dhe se në vend të tij kishte shkuar i akuzuari Prek Gjugja.

“Kam qenë në shtëpi, ka ardhur ky zotnia tek ne, T., ka ardhë tek ne ka pas mu marrë vesh me vëllain e këtij, por ai nuk ka ardh dhe ka ardh ky, i kam dëgju duke u përla me fjalë”, tha dëshmitarja, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitarja Nikolla tha se prezent në shtëpinë e tyre atë ditë kishte qenë edhe Zef Kita, ndërsa pasi kishin dalë jashtë shtëpisë, aty kishte ndodhur e gjithë ngjarja.

“I pari ka dalë T., tek dyert e oborrit, duke thënë se s’kam punë me ju, duke iu drejtu Prekës, këtë punë e rregullojmë me polici e me gjykatë, ku i ka thënë kthemi paret e mia dhe merre tokën pasi që nuk kam punë me ty”, tha ajo.

Dëshmitarja tha se pas T.B., kishte dalë i pandehuri Prek e më pas Zef Kita. Ajo theksoi se pasi T., kishte hipur në veturë, i kishte kërkuar të pandehurit Prek që t’ia lëshonte rrugën sepse e kishte veturën në rrugë, por që ai qëndronte me telefon duke folur e pas rreth 5 minutash kishte ardhë djali i tij, i pandehuri Alfred Gjugja.

Pasi kishte ardhur i pandehuri Alfred, dëshmitarja thotë se i pandehuri Prek po qëndronte tek makina e tij, kurse pas sharjeve, sipas saj i pandehuri Alfred ka shtënë me armë në drejtim të tani të ndjerit.

“.. te kerri i vet, ai kur u ardhë i ka kalu përskaj tij tu e shajt T., masandej i ka mshu automat”, ka thënë dëshmitarja Nikolla, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Ardita Beqiraj-Hyseni.

Dëshmitarja Nikolla tha se tani i ndjeri T.B., nuk ka pasur mundësi ta kalojë rrugën shkaku i renditjes së automjeteve njëra pas tjetrës dhe rrugës së paasfaltuar.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Prek Gjugja, avokati Sali Meka e pyeti dëshmitaren se ku ka qenë në kohën kur ata kanë biseduar për çështjen dhe se a e di përmbajtjen e bisedës së tyre, por ajo tha se ka qenë në dhomë tjetër, që përmbajtjen nuk e kuptoi por vetëm i dëgjoi duke bërtitur.

Avokati Meka tha se dëshmitarja në deklaratën e dhënë në Prokurori nuk ka thënë se ka dëgjuar britma e zhurmë, vetëm se nuk e dinte çka kanë folur, por që dëshmitarja tha se njësoj sikurse sot ka deklaruar edhe atëherë.

Lidhur me renditjen e makinave, e para tha se kishte qenë e tani të ndjerit T.B., e dyta e Prek Gjugjës, kurse e treta e Zef Kitës, e për këtë të fundit tha se me sa e di ai ka qenë aty gjatë gjithë ngjarjes.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, Drilon Haraçia, ia dha në shikim fotografinë me rastin e daljes në vend të ngjarjes, ku shihet renditja e improvizuar e makinave, e që sipas saj nuk ishte renditja ajo, por siç u përmend më lartë.

Në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitari Zef Nikolla, i cili tha se gjatë gjithë kohës kishte qenë në stallë të lopëve, në pronën e tij dhe se të shtënat e armëve i dëgjoi larg vendit ku ndodhi ngjarja, diku rreth 30 metra.

Sipas tij, pasi shkoi në vendin e ngjarjes e kishte gjetur të plagosur Anton Nikollën dhe tani të ndjerin T.B., të cilët më pas i kishte dërguar në spital.

Kurse, dëshmitarja Jana Gjugja, bashkëshortja e të pandehurit Prek Gjugja, në cilësinë e dëshmitares tha se para ngjarjes kishte qenë në shtëpi me të pandehurit Prek dhe Alfred, si dhe vajzën e tyre.

“… Zef Kita ka ardhë, erdh i tha burrit hajde me shku te Antoni m’u marrë vesh me ta dhe me T., burri i tha unë me T., jam marrë vesh, veç po vi e po ngoj fjalë”, tha dëshmitarja Gjugja.

Sipas saj, atë ditë kishte qenë në shtëpinë e tyre Martin Gjugja, vëllai i të pandehurit Prek.

“Paradite u kanë ka pi një kafe, kanë bisedu me Prekën, Preka i tha m’u marrë vesh për këtë çështje, ndërsa Martini i tha mu marrë vesh me burra”, tha dëshmitarja.

Dëshmitarja Gjugja theksoi se gjatë kohës kur kishte qenë i pandehuri Prek tek familja e Anton Nikollës, ajo kishte qenë në oborr dhe kishte dëgjuar britma, e më pas kishte hyrë brenda dhe e kishte lajmëruar djalin- të pandehurin Alfred.

“I kam thanë djalit, nji piskamë e njeva poshtë e daja Zef e ka marrë babën tanë e kanë shku te Antoni… kur hyra unë ka qenë me telefon në dorë po s’kam ni me kon ka folë as kurgjo, është çu si i habitur e ka marrë armën, ka dalë përjasht pa më thanë kurrgjë, është dalë si i hupt”, tha dëgjmitarja, duke shtuar se më pas kishte ardhur policia.

Ndërsa, në fund pohoi se kishte deklaruar se ka pasur në plan të shkonte tek motra e Prekës atë ditë.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 20 dhjetor 2023.

Ndryshe, në shkurt të vitit 2021, Alfred Gjugja ishte dënuar me 22 vite burgim unik për vrasjen e tani të ndjerit T.B, për shkaktim të lëndimit të rëndë trupor të dëmtuarit Anton Nikolla dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa, Prek Gjugja ishte dënuar me 12 vite burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes. Ndërsa, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar dënimin prej 34 vjetësh burg që kishte shqiptuar Gjykata e Gjakovës ndaj babë e bir, Prek dhe Alfred Gjugja.

Por, Gjykata Supreme ka vendosur se lënda sa i përket të akuzuarit Alfred Gjugja ka përfunduar dhe është çështje e gjykuar, ndërsa është kthyer në rivendosje në shkallë të parë çështja sa i përket të akuzuarit Prek Gjugja lidhur me veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Alfred Gjugja akuzohej se më 12 mars 2019, rreth orës 18:35, në fshatin Marmullë të Komunës së Gjakovës, pikërisht në afërsi të shtëpisë së Anton Nikollës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin T.B., pas një mosmarrëveshje pronësore. Po ashtu, akuzohej se me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Anton Nikolla. Kurse, Prek Gjugja po ngarkohet se ndihmoi të akuzuarin Alfred në kryerjen e vrasjes.

Në trend Lajme

Më shumë
Ekipet e reja për mbledhjen e mbeturinave, Rama njofton se janë sulmuar fizikisht punëtorët në lagjen Dardania

Ekipet e reja për mbledhjen e mbeturinave, Rama njofton se janë sulmuar fizikisht punëtorët në lagjen Dardania

Lajme

"Daily Mail" shkruan për kosovarin me nënshtetësi angleze që po mbahet në një burg ferri në Serbi

Lajme
Gashi: Mandatori i ardhshëm për kryeministër duhet së pari të flasë me ne

Gashi: Mandatori i ardhshëm për kryeministër duhet së pari të flasë me ne

Lajme
Pasuria e kryetarit të Suharekës e deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Pasuria e kryetarit të Suharekës e deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lajme
Hyri ilegalisht nga Serbia në Kosovë, policia ndalon të dyshuarin

Hyri ilegalisht nga Serbia në Kosovë, policia ndalon të dyshuarin

Kronika e Zezë
Kryetari i Istogut deklaron mbi 3 mijë euro kursime në bankë, e bashkëshortja e tij vetëm 30

Kryetari i Istogut deklaron mbi 3 mijë euro kursime në bankë, e bashkëshortja e tij vetëm 30

Lajme
Kalo në kategori