Është arrestuar i dyshuar i vrasjes së ndodhur pasditen e djeshme në Korçë, ku humbi jetën një 21-vjeçar.

Sipas njoftimit thuhet se Policia e Shtetit bën me dije se në pranga ka rënë shtetasi K. S., 20 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar se ka vrarë me armë zjarri, kallashnikov, shtetasin J. Z., 21 vjeç.


Ngjarja e rëndë ndodhi dje, rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, në Korçë.

Sipas Policisë, mes disa shtetasve ka pasur një konflikt për motive të dobëta, i cili më pas është përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Si pasojë e të shtënave, 21-vjeçari J. Z. ka humbur jetën.

Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i krimit, duke bërë që shërbimet e Policisë të nisin menjëherë kërkimet për lokalizimin e tij.

Pas disa orësh kërkimesh intensive nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, 20-vjeçari është lokalizuar dhe kapur në lagjen nr. 3, në afërsi të banesës së tij.

Në vijim të veprimeve hetimore, Policia ka bërë të mundur edhe gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit, një pushkë automatike, e dyshuar se është përdorur në kryerjen e krimit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për dokumentimin ligjor të saj. /Telegrafi/