LAJMI I FUNDIT:

Vota e shpërbërë

Situata e ngjeshur politike në Republikën e Maqedonisë, po paralajmëron rrjedhjen e ujërave të mëdha. Qeveria dhe opozita në asnjë pikë nuk arritën që të kuptohen. Ata në vend se të përafrojnë qëndrimet e tyre për zgjidhjen e problemeve politike, veçse po shtojnë hendeqet e keqkuptimit. Mirëkuptimi më nuk po ka peshë. Është kaluar edhe vija e kuqe e ndërhyrjes së pozitës në ingerencat e përgjithshme. Pozita nga qëndrimet e këtilla politike do të luaj rrolin e Faraonit ku nga arroganca e tij, arriti që ta nënshtroj popullin e tij deri në masën e shndërrimit të vetvetes në ‘zot’. Gruevski duhet ta ketë parasysh se Maqedonia nuk është Egjipt.

Qëndrimi i Nikolla Gruevskit dhe partisë së tij është se deri me 31 mars parlamenti të shpërbëhet dhe të shpallen zgjedhje të parakohshme në Republikën e Maqedonisë. Me një fjalë goje Nikolla Gruevski po kërkon ta zhvlerësoj votën e të gjitha partive politike përfaqësuese të popullatës në Parlamentin e Maqedonisë. Ende pa u mbajtur zgjedhje të parakohshme, me këtë gjë, Gruevski, do që t’i thotë Branko Cërvenkovskit dhe partisë së tij se ‘unë jam ai që vendosi dhe që do të mundi edhe në këto zgjedhje parlamentare’. Do t’i thotë votuesit shqiptar e maqedonas se ‘unë kam në dorë fatin e votës suaj’.


Kjo mënyrë e veprimit politik të pozitës, është një gjë e hidhur dhe e dëmshme për Republikën e Maqedonisë në të ardhmen e saj. Është e hidhur ngaqë rrjedh prej një partie politike që synon futjen e Maqedonisë në NATO dhe BE, ndërsa e dëmshme ngaqë cenohen principet e demokracisë parlamentare në vend.

Duke lexuar opinionet e disa opinionistëve shqiptarë për kodin e ri zgjedhor, e kam parë se përsëri shqiptarët ranë në kurthin e VMRO-DPMNE-së. Maqedonasit janë në gjendje që të shtojnë edhe numrin e deputetëve shqiptarë deri në pesë, të kënaqin orekset e shqiptarëve, dhe njësitë zgjedhore të ngelin në formulën e njëjtë diskriminuese. Sikur formula e njësive zgjedhore në Maqedoni, të ishte e formuluar ndryshe, shqiptarët do të kishin edhe juridikisht rrol vendimtar në Republikën e Maqedonisë.

Në këtë periudhë të nxehtë politike BDI po bojkoton Parlamentin e Maqedonisë për shkak të keqkuptimeve me koalicionin e saj qeveritar rreth emërtimit të ri të Guvernatorit të Bankës Popullore të Maqedonisë.

E gjithë kjo zhurmë që po bëhet nga ana e kryeministrit aktual Nikolla Gruevski, tregon për paaftësinë e tij për të drejtuar më vendin. Ai përveç që ka frikë ta udhëheq vendin me metoda demokratike, përdor të gjitha kurthet e demokracisë për të futur në to, të gjitha subjektet politike, por edhe institucionet e shtetit, me të vetmin qëllim që jeta e tij politike në krye të vendit, të jetë sa më e gjatë.

Benjamin Franklin ka thënë: “Kush heq dorë nga liria për të pasur siguri, nuk meriton më, as lirinë dhe as sigurinë”. Thënia e këtij kolosi përshtatet shumë me aktualitetin politikë në Republikën e Maqedonisë.

Nikolla Gruevski don që ta detyrojë popullatën e këtij vendi që të heq dorë nga liria për të pasur siguri. Liria për të pasur siguri në demokraci, është liria e shprehjes përmes kutive të votimit. Kjo liri duhet të jetë e shenjtë për një vend, dhe e sigurt për ardhmërinë e një populli. Po qe se njeriu ose populli nuk e ka lirinë e shprehjes përmes kutive të votimit si do ai, pa imponim dhe pa dhunim, atëherë gjendja e atij populli dhe vendi është kaotike. Edhe pse atletët e demokracisë do të thoshin se ne këtë gjë e bëjmë në emër të lirisë dhe demokracisë, prapë se prapë, ata individ dhe ato subjekte politike nuk e meritojnë më as lirinë e as demokracinë.

Në shumë veprime, Nikolla Gruevskin mund ta krahasojmë me Gadafin e Libisë. Thirrjet e Gadafit janë dëshpëruese për qëndrimin e tij në pushtet. Ai me mijëra herë thotë se vdes për Libinë dhe se e do popullin e saj. Por dashuria e tij po kap koston e mijërave të vrarëve nga tanket e helikopterët ushtarakë. Edhe pse populli është mërzitur më nga diktatura e tij e gjatë, ai përsëri i kthehet thirrjeve të tij dëshpëruese për dashuri ndaj popullit libian dhe Libisë.

Veprimet e Nikolla Gruevskit e meritojnë mospërgjigjen e popullatës në kutitë e votimit, dhe mospërgjigjen e asnjë partie politike në lojën e tij të fëlliqur. Por edhe kjo gjë nuk është zgjidhje për problemet dhe hallet e qytetarëve të këtij vendi. Në këtë mënyrë veçse do t’i jepet hapësirë Nikolla Gruevskit për të manipuluar me institucionet e shtetit dhe për të thelluar sundimin e tij në kundërshtim me dëshirat dhe vullnetin e popullit.