LAJMI I FUNDIT:

“VoRAE” i kërkon kryetarëve të komunave të ndihmojnë në procesin mësimor në distancë dhe përfshirjen e pjesëtarëve të komuniteteve në Shtabet Emergjente

“VoRAE” i kërkon kryetarëve të komunave të ndihmojnë në procesin mësimor në distancë dhe përfshirjen e pjesëtarëve të komuniteteve në Shtabet Emergjente

Organizata joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve”, ka kërkuar nga kryetarët e komunave që të ndihmojnë nxënësit e këtyre komuniteteve që t’i ndjekin mësimit në distancë sepse për shkak të gjendjes ekonomike dhe mungesës së teknologjisë shumë nxënës janë joaktiv.

Gjithashtu, kjo organizatë ka kërkuar përfshirjen e përfaqësuesve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në  shtabe emergjente. Sipas tyre, përfshirja e këtyre komuniteteve lehtëson procesin e shpërndarjes së pakove ushqimore dhe higjienike dhe parandalon përfitimin e dyfishtë të familjeve nga këto pako në të gjitha komunat, transmeton Telegrafi.


Më poshtë kërkesat e tyre:

Me rastin e situatës së re me pandeminë COVID-19 në Kosovë, e cila filloi me paraqitjen e rasteve të para të pacientëve të prekur me këtë virus nga data 13 Mars 2020, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë ka vendosur të mbyllë të gjitha shkollat dhe institucionet në të gjitha nivelet e arsimit. Për këtë arsye, MAShTI ka filluar një platform mësimi në distancë, e cila transmetohet përmes televizionit publik dhe internetit.

Mirëpo gjendja e pandemisë ka shkaktuar problem edhe tek nxënësit në sistemin arsimor. Si rezultat i mungesës së çasjes informative për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike dhe mungesës me mjete teknologjike ka bërë që shumë nxënës të jenë ‘’jo-aktivë’’ në proceset e edukimit në distancë veçanërisht nxënësit e komuniteteve, Romë, Ashkali dhe Egjiptian, duke humbur edhe kontaktet e rregullta me stafin mësimor.

Komuna e Prishtinës ka filluar një iniciativë shumë domethënëse të solidaritetit, i cili synon të ndihmojë fëmijët që nuk kanë paisjet e nevojshme teknologjike për të ndjekur mësimin online. Në këtë iniciativë Komua fton të gjithë personat që kanë vullnet të mirë për të dhuruar telefonët, kompjuterët, tabletët dhe paisjet tjera të cilat nuk i përdorin më, për t’ju mundësuar nxënësve që nuk kanë paisje tekonologjike për të ndjekur mësimin në distancë.

Me këtë kërkesë, ne ju bëjmë thirrje Komunave që të ndjekin shembullin e Komunës së Prishtinës dhe t’ju mundësojnë nxënësve të tjerë që kanë nevojë për këtë lloj ndihme për të tejkaluar problemet e tyre. Në këtë mënyrë ata do të mund të vazhdojnë shkollimin me bashkëmoshatarët e tyre dhe në të njëjtën kohë ti realizojnë të drejtat e barabarta për arsimin e detyrueshëm në këtë situatë të vështirë.

Ne gjithashtu ju bëjmë thirrje të gjitha Komunave, që në nisma të tilla, për mbledhjen e mjeteve adekuate për ndjekjen e mësimit në distancë, t’ju kushtojnë vëmendje të veçantë nxënëse nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptian, të cilët kanë nevojë të madhe për mbështetje dhe përkrahje gjatë kësaj periudhe.

Kërkesa për përfshirjen e pjesëtarëve të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Shtabet Emergjente

Të nderuar Kryetarë të Komunave,

Gjatë muajit të fundit kemi qenë dëshmitarë dhe kemi parë se përhapja e COVID-19 prek të gjitha popullsinë e vendit mirëpo është veçanërisht e dëmshme dhe e rrezikshme për grupet më të margjinalizuara duke përfshirë personat që jetojnë në varfëri të skajshme, personat me sëmundje kronike, aftësi të kufizuara dhe të moshuarit.

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian bëjnë pjesë tek grupet e margjinalizuara duke marrë parasysh kushtet e vështira socio-ekonomike, mungesën e qasjes në ujë të pijshëm e shumë faktorë të tjerë të cilët rrezikojnë që të jenë më të ekspozuar ndaj këtij virusi të pamëshirshëm.

OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” konsideron se themelimi i Shtabeve Emergjente në një numër të konsiderueshëm të komunave për koordinim sa më të mirë të aktiviteteve preventive për parandalimin e COVID-19 ka qenë vendim shumë i qëlluar duke marrë parasysh që institucione të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare janë duke ofruar ndihma dhe pako të ndryshme për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Duke marrë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike dhe mbylljen e bizneseve muajin e fundit nevoja për pako ushqimore dhe higjienike është shtuar dukshëm për familjet e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Në mënyrë që interesat dhe zëri i pjesëtarëve të këtyre tri komuniteteve të jetë i përfaqësuar dhe këto familje të përfshihen në mënyrë të barabartë në të gjitha komunat e Kosovës është shumë e rëndësishme që liderët e lagjeve ose përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të jenë pjesë e shtabeve emergjente gjithmonë duke pare shembujt e mirë në komunat ku ata janë pjesë e këtyre ekipeve.

Andaj për të lehtësuar procesin e shpërndarjes së pakove ushqimore dhe higjienike dhe për të parandaluar përfitimin e dyfishtë të familjeve nga këto pako në të gjitha komunat ku ka pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe janë të krijuara shtabet emergjente ne ju bëjmë thirrje publike të gjithë Kryetarëve të Komunave që të autorizojnë përfshirjen e përfaqësuesve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në këto shtabe emergjente”./Telegrafi/