LAJMI I FUNDIT:

Volkswagen Touran pritet të mos prodhohet më, mund të zëvendësohet nga I.D. Buzz

Volkswagen Touran pritet të mos prodhohet më, mund të zëvendësohet nga I.D. Buzz

Ditët e makinave për shumë qëllime janë të numëruara, pasi klientët janë të interesuar për crossover dhe SUV.

Kjo mund ta përcaktojë edhe fatin e Volkswagen Touran, që mund të largohet në tërësi nga prodhimi gjatë viteve të ardhshme, transmeton Telegrafi.


Megjithatë, prodhuesi gjerman nuk do të mbetet pa këtë furgon të vogël, pasi do ta shfrytëzojë I.D. Buzz që ta zëvendësojë atë.

Pritet që deri në vitin 2022, pasardhësi shpirtëror i Mikrobusit mund të shërbejë si zëvendësimi indirekt i Touran, raporton Autocar, duke cituar anëtarin e bordit të VW për Kërkim dhe Zhvillim, Frank Welsch.

“Disa njerëz do të thoshin se Touran është një makinë bajate, por ka efikasitet të madh, vlerë të madhe për paratë dhe është e shkëlqyeshme për familjen”, tha Welsch.

Sipas tij, tani ka mundësi tjera për ta zëvendësuar Touranin me shtatë ulëse, pasi është duke u punuar në grupin e makinave I.D. që mund ta plotësojnë hapësirën e kësaj makine.

I bazuar në platformën MQB të Volkswagen Group, Touran i gjeneratës së dytë u prezantua para pesë vitesh në Motor Show në Gjenevë dhe ofrohet me një larmi të gjerë motorësh me benzinë dhe naftë, me rezultate që ndryshojnë midis 110 dhe 190 PS apo 108-187 HP dhe 81-140 kW.

Ka çmim fillestar prej 31.080 eurove, apo 695 më i shtrenjtë se Tiguan që i ka pesë ulëse. /Telegrafi/