LAJMI I FUNDIT:

Volkswagen ka portfolion më të madhe të veturave elektrike që kualifikohen për kreditimin e plotë të taksave në SHBA

Volkswagen ka portfolion më të madhe të veturave elektrike që kualifikohen për kreditimin e plotë të taksave në SHBA

Qeveria amerikane më në fund ka lëshuar listën e plotë të kërkesave për kredinë e saj tatimore. Deri më tani shumica e veturave janë kualifikuar për shkak se nuk kishte asnjë marrëveshje mbi rregullat e baterive – dhe tani kjo ka ndryshuar.

Në thelb, në mënyrë që një veturë të kualifikohet për kreditimin e plotë tatimor, automjeti duhet të prodhohet në SHBA dhe bateria e tij duhet të merret gjithashtu nga SHBA, dhe falë rregullave të reja fituesi është Volkswagen.


Pasi që VW ID.4 prodhohet në Chattanooga të Tennessee, ajo veçse kualifikohet për kredinë e pjesshme tatimore – vlera e së cilës është 3,500 dollarë. Por kompania konfirmoi se falë furnizuesit të saj amerikan të baterive, të gjitha modelet ID.4 kualifikohen për zbritjen e plotë prej 7,500 dollarëve, raporton Arena EV, transmeton Telegrafi.

Kjo ndryshon shumë gjëra. Së pari, ID.4-shi më i lirë në SHBA ka një çmim prej 28,995 dollarë, e që akoma mbetet me çmim më të lirë se Tesla Model 3 më e lirë. Ai është modeli ID.4 Standard, ka bateri prej 62kWh dhe një rreze me vlerësim EPA prej 336 kilometrave (209 miljeve). Me kredinë tatimore, çmimi tani ulet në 31,495 dollarë – dhe kjo ID.4-shin e bënë një nga veturat më të lira elektrike në këtë segment të tregut amerikan.

Por çka është më interesante është fakti se Volkswagen i ka 8 vetura elektrike të cilat kualifikohen për kredinë e plotë tatimore prej 7,500 dollarëve. Tesla ka vetëm 4 vetura elektrike të cilat mund të marrin shumën e plotë, modeli fillestar Tesla Model 3 kualifikohet vetëm për kredinë prej 3,500 dollarëve për shkak të baterisë së saj kineze.

Edhe Ford ka në fakt vetëm 2 vetura elektrike të cilat kualifikohen për shumën e plotë – Mustang Mach-E e merr vetëm gjysmën e kredisë tatimore, dhe kjo ndodh për shkak të origjinës së baterisë. Prodhuesi i dytë i veturave elektrike me numrin më të madh të veturave që kualifikohen për shumën e plotë është Chevrolet – të gjitha 5 modelet e saja prodhohen në SHBA, e bashkë me to edhe bateritë e atyre veturave.

Rregullat e reja të baterive të vendosura nga Departamenti Amerikan i Energjisë nuk janë befasi. Ato u prezantuan vitin e kaluar, por që nuk u zbatuan për shkak se shumë prodhues po tentonin që ta bindin qeverinë se rregullat e reja ishin të pazbatueshme, mirëpo qeveria amerikane nuk u largua nga planet e saj, dhe tani shumë vetura më nuk kualifikohen për kredinë tatimore. /Telegrafi/