Vlerat e skuadrave italiane: Como në fluturim, Juventus në rënie, Inter mbi të gjithë
Vlera e skuadrave në Serie A ka pësuar ndryshime të rëndësishme gjatë këtij sezoni, sipas një analize të bazuar në të dhënat e Football Benchmark.
Klubi që ka shënuar rritjen më të madhe është surpriza e sezonit, Como, ndërsa Juventus është i vetmi ndër klubet e mëdha që ka pësuar rënie në vlerë.
Rritje e madhe për Comon e Fabregasit

Skuadra e drejtuar nga Cesc Fabregas ka qenë një nga historitë më interesante të sezonit, si në fushë ashtu edhe në aspektin ekonomik. Vlera e skuadrës së Comos është rritur me 60 milionë euro që nga fillimi i sezonit, duke kaluar nga 268 milionë euro në shtator në 328 milionë euro në shkurt, rritja më e madhe në kampionat.
Një nga arsyet kryesore të kësaj rritjeje është zhvillimi i disa lojtarëve të rinj, veçanërisht i talentit Nico Paz, vlera e të cilit është rritur ndjeshëm gjatë këtij sezoni. Mesfushori e nisi sezonin me një vlerë prej 48 milionë euro, ndërsa tani vlerësohet rreth 74 milionë euro.
Inter mbetet skuadra më e shtrenjtë

Ndërkohë, Interi vazhdon të ketë skuadrën me vlerën më të lartë në Serie A, duke arritur në 743 milionë euro, një rritje prej 50 milionë eurosh krahasuar me fillimin e sezonit.
Një nga lojtarët që ka ndikuar më shumë në këtë rritje është talenti i ri Francesco Pio Esposito, vlera e tregut e të cilit është rritur nga 17 milionë euro në 51 milionë euro.
Milan, Atalanta dhe Roma në rritje

Rritje të ndjeshme kanë shënuar edhe disa klube të tjera të mëdha të kampionatit italian. Milan ka shtuar 26 milionë euro në vlerën e skuadrës, duke arritur në 534 milionë euro. Një faktor i rëndësishëm në këtë rritje është portieri Mike Maignan, vlera e të cilit është rritur nga 21 në 34 milionë euro, pjesërisht falë edhe rinovimit të kontratës.
Edhe Atalanta ka shënuar progres, me një rritje prej 18 milionë eurosh, duke arritur në 405 milionë euro. Skuadra nga Bergamo ka tashmë 11 lojtarë me vlerë mbi 20 milionë euro.
Nga ana tjetër, Roma ka regjistruar një rritje prej 17 milionë eurosh, duke arritur në 407 milionë euro. Në këtë skuadër bie në sy rritja e vlerës së Wesley França, i cili ka kaluar nga 24 në 34 milionë euro.
Juventus, e vetmja në rënie

Në anën tjetër të tabelës qëndron Juventus, e cila është e vetmja nga klubet e mëdha që ka pësuar rënie në vlerë. Skuadra torineze ka humbur 15 milionë euro, duke rënë nga 658 milionë euro në 643 milionë euro.
Kjo ndodh pavarësisht rritjes së madhe të vlerës së talentit turk Kenan Yildiz, i cili është rritur nga 78 në 91 milionë euro.
Në të kundërt, vlera e sulmuesit Lois Openda ka pësuar rënie të ndjeshme, nga 70 në 50 milionë euro. Ndërkohë, Edon Zhegrova nuk është më në monitorimin e analizës, pasi ka luajtur vetëm 286 minuta në këtë kampionat./Telegrafi/



























