LAJMI I FUNDIT:

Vlerat e rritura të manganit në ujë, KRU “Prishtina”: Po bëjmë përpjekje maksimale për t’i furnizuar qytetarët me ujë të pijshëm përmes autobotëve

Vlerat e rritura të manganit në ujë, KRU “Prishtina”: Po bëjmë përpjekje maksimale për t’i furnizuar qytetarët me ujë të pijshëm përmes autobotëve

Po bëhen një javë që kur është ndaluar uji për pije dhe gatim nga liqeni i Badovcit, por kompania Rajonale e Ujësjellësit, KRU “Prishtina” edhe sot ka vendosur dy autobote me ujë të pijshëm te rruga”B” në Prishtinë.

Arjeta Mjeku nga KRU “Prishtina”, ka thënë për Telegrafin se si janë duke bërë përpjekje maksimale për t’i furnizuar qytetarët me ujë të pijshëm përmes autobotëve në zonat e prekura.


“E kemi edhe obligim ligjor. Shpresojmë që situata të përmirësohet shumë shpejt. Gjendja nuk është alarmante. Është dukuri natyrore, nuk mund të japim datë apo ditë të saktë, por shpresojmë që shpejt do përmirësohet”, ka thënë Mjeku për Telegrafin.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje të enjten e kaluar qytetarëve të cilët furnizohen nga Fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit, pasi që analizat e mostrave të ujit në rezultatet laboratorike kanë treguar se ka vlera të rritura të manganit.

IKSHPK ka bërë të ditur se ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit për pije në zonën e mbulueshmërisë dhe se mos përdorimi i ujit për pije dhe përgatitje të ushqimit do të vlejë deri në njoftimin e radhës. /Telegrafi/