VLEN: Rikthehet funksionaliteti i plotë i Komitetit për Marrëdhënie mes Bashkësive

VLEN përmes një komunikate për media, ka informuar se Komiteti për Marrëdhënie mes Bashkësive i cili për vite të tëra ishte lënë në margjinë, është funksionalizuar.
VLEN ka akuzuar qasjen e ish-qeverisë, që sipas tyre e kanë defaktorizuar.
"Është defaktorizuar nga qasjet e BDI-së. Roli i tij është zbehur. Ka humbur peshën reale në vendimmarrje, edhe pse buron nga Marrëveshja e Ohrit", theksohet në kumtesën e VLEN.
"Sot kjo ndryshon. Në krye të Komitetit është zgjedhur deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi. Ai do t’i prijë një faze të re. Një faze me funksion të plotë dhe përgjegjësi të qartë institucionale. Komiteti nuk do të jetë më formalitet. Do të jetë organ aktiv. Ai do të jetë mekanizëm funksional, me vendimmarrje të gjallë dhe me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, përdorimin e gjuhës, arsimin dhe kulturën, duke garantuar zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe parimit të Badinterit.
VLEN i jep fund qasjes së neglizhimit institucional. Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat do të zbatohet me seriozitet të plotë. Barazia institucionale nuk do të mbetet më vetëm në letër", thonë nga VLEN.















































