LAJMI I FUNDIT:

Vjen reagimi nga Xiaomi dhe Huawei të cilat u akuzuan nga Lituania për censurë si dhe për mungesë sigurie në telefona

Vjen reagimi nga Xiaomi dhe Huawei të cilat u akuzuan nga Lituania për censurë si dhe për mungesë sigurie në telefona

Ministria e Mbrojtjes në Lituani ka paralajmëruar qytetarët së fundmi që t’i hedhin telefonat e tyre kinezë, dhe të shmangin blerjen e atyre të rinj.

Kjo pas një raporti nga Qendra Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, ku tha se një telefon i prodhuar nga Xiaomi kishte mjete të integruara të censurës, derisa një model tjetër Huawei kishte të meta sigurie.

Mirëpo, të dyja kompanitë si Huawei dhe ajo Xiaomi i kanë mohuar akuzat.

Huawei ka deklaruar se kompania e konsideron sigurinë kibernetike si dhe privatësinë si një përparësi kryesore.

“Huawei gjithmonë pajtohet me ligjet dhe rregulloret e vendeve dhe rajoneve në të cilat operon, dhe e ka prioritet sigurinë kibernetike dhe privatësinë”, ka deklaruar zëdhënësi i Huawei Baltics, Mindaugas Plukys.

Ngjashëm ka reaguar edhe Xiaomi, derisa në një deklaratë ka mohuar pretendimet e autoriteteve lituaneze për censurë.

“Xiaomi kurrë nuk ka kufizuar dhe kurrë nuk do të kufizojë ose të bllokojë çdo sjellje personale të përdoruesve tanë të telefonave të avancuar, të tilla si kërkimi dhe shfletimi në internet”, thuhet në deklaratën e tyre.

Sidoqoftë, muajve të fundit Lituania dhe Kina kanë pasur marrëdhënie të tensionuara.

Në muajin korrik, Lituania ra dakord të lejojë Tajvanin të hapë një strukturë diplomatike në Vilnius me emër të saj, në vend të emrit “Chinese Taipei”. Ky veprim zemëroi Pekinin, dhe qeveria kineze tërhoqi ambasadorin e saj.

Ndërkohë, në muajin maj, Lituania u tërhoq nga blloku diplomatik i Kinës “17+1” në Evropën Lindore dhe bëri thirrje që vendet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë. /Telegrafi/