Vizitë historike

“Është një vizitë historike për Kosovën, sepse patëm nderin e veçantë që të priteshim nga kjo administratë që ka pak më shumë se një muaj që ka marrë detyrën. Kjo vizitë është e rëndësishme pasi është konstatuar një politikë konstante e administratave amerikane ndaj Kosovës, të cilat kanë mbështetur pavarësinë”, ka thënë Sejdiu në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Kreu i shtetit ka nënvizuar gjithashtu se gjatë takimeve, përveç mbështetjes së SHBA është folur edhe për sfidat që Kosova ka përpara. Ai ka shtuar se vizita në Washington ka qenë edhe një masë ndaj përpjekjeve të Serbisë për të penguar njohjen e mëtejshme të pavarësisë.
Ndërsa edhe kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar për RTK-në se tash edhe administrata e re amerikane ka rikonfirmuar mbështetjen për njohjet e mëtutjeshme të Kosovës të cilat do të ndodhin javëve dhe muajve të ardhshëm.
Thaçi tha se ishte konkludim i përbashkët i Prishtinës dhe Washingtonit se pavarësia e Kosovës ka sjell paqe dhe stabilitet në rajon. Edhe ai e vlerësoi tejet të suksesshme vizitën e delegacionit shtetëror në Shtetet e Bashkuara. /rtk/telegrafi/



















































