LAJMI I FUNDIT:

Vizita e Palmerit dhe Lajçakut në Kosovë, konsultimet për datën e zgjedhjeve lokale dhe Rezoluta e AAK-së për faljen e gjobave gjatë pandemisë – top lajmet e javës

Vizita e Palmerit dhe Lajçakut në Kosovë, konsultimet për datën e zgjedhjeve lokale dhe Rezoluta e AAK-së për faljen e gjobave gjatë pandemisë – top lajmet e javës

Gjatë javës që po lëmë pas në Kosovë ishte për vizitë zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer dhe i dërguari i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak, ku me krerët e shtetit diskutuan për dialogun Kosovë-Serbi.

Gjatë javës që po lëmë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka takuar krerët e partive politike, për t’u konsultuar rreth datës së zgjedhjeve lokale.


Ndërkaq, një ditë më parë, Kuvendi i Kosovës nuk miratoi Rezolutën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me faljen e gjobave gjatë pandemisë.

Vizita dyditore e Palmer dhe Lajçak në Kosovë

Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë javës kanë qëndruar për një vizitë dyditore në Kosovë.

Megjithëse, zhvilluan takime të shumta, dyshja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, u treguan të rezervuar sa i përket deklaratave se çfarë u bisedua në takime, shkruan Telegrafi.

Për dy ditë sa qëndruan në Kosovë, Palmer dhe Lajçak takuan udhëheqësit shtetërorë e po ashtu liderët e subjekteve politike. Disa takime me zyrtarët kosovarë ata i zhvilluan së bashku, e disa të tjera ndaras.

Në takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Palmer dhe Lajçak shkuan së bashku. E po ashtu, së bashku shkuan në takim edhe presidenten e Kosovës.

Ndërkaq, ndaras takuan krerët e subjekteve politike, kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun si dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përcjell Telegrafi.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pas takimit që zhvilloi me Palmer dhe Lajçak deklaroi se procesi i dialogut në Bruksel duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo gjatë një takimi me zëvendës-ndihmës sekretarin e Shtetit amerikan, Matthew Palmer dhe emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka ripërsëritur qëndrimin se për Kosovën mbetet thelbësore që në këtë proces të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit.

Kurse, kryeministri Albin Kurti, më herët ka publikuar fotografi të takimit me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer.

Në Twitter, Kurti ka shkruar, “pas takimit me kryetarët e dy partive politike të opozitës së Kosovës, përpara takimit të paralajmëruar të Brukselit në mes të qershorit”.

Kurse, Palmer dhe Lajçak në një konferencë të përbashkët për media folën për vizitën e tyre në Kosovë.

Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka thënë se SHBA-ja mbështet fuqishëm dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se pret si qëllim përfundimtar të tij njohjen reciproke.

“SHBA e mbështet fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi. Dialogu është rruga për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, kishte deklaruar ai.

Po ashtu, Palmer ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të formohet ashtu si merren vesh palët.

“Forma sesi duhet të bëhet Asociacioni është forma sesi do të dakordohen palët”, u shpreh Palmer.

Në konferencë për media, emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, bëri të ditur se pas pak ditësh do të mbahet takimi mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.

Lajçak në një konferencë për media, tha se qëllimi parësor i kësaj vizite është që të përgatitet takimi i parë me kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Qëllimi parësor i kësaj vizite është që të përgatitet takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit, i cili do të mbahet pas pak ditësh në Bruksel. Prandaj programi fokusohet në katër takime kyçe, Bislimi, Kurti, Gërvalla… Këto takime kanë qenë të dobishme. Ka potencial që të jetë një vit i mirë për marrëdhëniet me BE-në. Ka pasur një diskutim me 27 ministrat e jashtëm, më 22 qershor do të kemi dhe një diskutim tjetër, do të kemi Samitin e Ballkanit Perëndimor në tetor”, ka thënë Lajçak.

Ndryshe, kjo vizitë e dy zyrtarëve të lartë nga SHBA-ja dhe BE-ja po shihet si sinjal pozitiv për rifillim të dialogut nga analistët politikë në Kosovë.

Ndërkaq, të premte për një vizitë në Kosovë ishte edhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias.

Takimet e Osmanit me krerët e partive për datën e zgjedhjeve lokale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar gjatë javës përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare, ku është diskutuar për datën e zgjedhjeve lokale.

Në takime ndaras, Osmani ka takuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u.d. kryetarin e PDK-së, Enver Hoxhaj, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfaqësuesin AAK-së, Besnik Tahiri, kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq si dhe me partitë e komuniteteve joshumicë: Vakat, RI, PAI, KDTP, IRDK, SDU, NDS, JGP dhe LPRK.

E, pas takimeve të mbajtura subjektet politike kanë treguar se cilat janë datat e preferuara për mbajtjen e zgjedhjeve, përcjell Telegrafi.

Lëvizja Vetëvendosjes përmes një komunikate të lëshuar për media ka bërë të ditur se kreu i partisë, Albin Kurti ka kërkuar nga presidentja që sa më shpejtë të caktohet data për zgjedhjet lokale.

“E pikërisht fitorja mbi 50% në këto zgjedhjet e fundit qendrore paralajmëron mandatet e fuqishme që do t’i marrim nëpër shumicën e komunave të Kosovës. Po shkojmë drejt fitores për shkak se ndryshimi që ka filluar do e marrë formën e tij të plotë, për shkak se zhvillimi i gjithëmbarshëm që ka filluar po e kërkon zhvillimin e secilës pjesë. Në këtë kuptim, qëndrimi që kryetari ynë, z. Kurti, paraqiti në presidencë ishte që data për zgjedhjet lokale të caktohet sa më shpejt e ato të mbahen sa më parë”, thuhej në njoftimin e LVV-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë kërkuar që data 31 tetor të shpallet ditë e zgjedhjeve lokale.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se partia e tij është e gatshme për t’u futur në garë zgjedhore.

“Ne jemi gati si LDK në çdo datë të mundshme për t’u futur në garë zgjedhore, por është rekomandim i yni që 31 tetori për shkak të organizimit më të mirë rreth zgjedhjeve, për shkak se Kosova është në pandemi dhe duhet të kalojë një kohë edhe për trajtimin dhe vaksinimin e rimëkëmbjen ekonomike. Por edhe çdo datë tjetër është e pranueshme për LDK-në. Ne i propozuam dhe i kërkuam presidentes që 31 tetorin ta shpall ditë të zgjedhjeve lokale”, ka thënë ai para mediave.

Kurse, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ka thënë para mediave se kanë propozuar si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, datën 31 tetor 2021.

“Ne mendojmë që institucionet që merren me organizim e zgjedhjeve duhet të kenë mjaft kohë që procesi të jetë i përgatitur mirë. Ne kemi kërkuar që si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve të jetë 31 tetori 2021, dhe mendojnë që është brenda afatit kushtetues dhe e dimë që deri atëherë komunat dhe institucionet që merren me organizimin e zgjedhjeve do të mund të ken kohë për përgatitje”, kishte deklaruar Hoxhaj pas takimit të zhvilluar me presidenten.

Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo parti nuk ka pasur preferenca datash sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani, ka thënë se me rëndësi është që kryetarët e komunave të kryejnë mandatet e plota, pa humbur asnjë ditë.

“Zgjedhjet të ndodhin në afatet kohore. Aty u diskutua data 31 tetor, ajo që dihet është se mandati i kryetarëve të komunave përfundon më 22 tetor, nuk është mirë me iu ndalë mandati asnjë ditë”, ka potencuar ai para mediave.

Ndryshe, nga presidenca kanë njoftuar që në ditët në vazhdim do të caktohet data për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Ndërkohë, kur kanë mbetur edhe pak muaj nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, subjektet politike tashmë kanë filluar lëvizjet e para me përcaktimin e kandidaturave për kryetarë të komunave.

Në bazë të kalendarit të rregullt zgjedhjet do të mbahen në tetor apo nëntor të këtij viti dhe tashmë PDK, LDK dhe AAK kanë zyrtarizuar kandidatët për disa komuna, derisa nga LVV ende nuk ka ndonjë zyrtarizim.

Pavarësisht kësaj, nga të gjitha partitë ka kandidat që kanë shpallur ambiciet për të garuar për kryetarë të komunave të caktuara.

Kuvendi nuk miratoi rezolutën e iniciuar nga AAK-ja për faljen e gjobave

Me 22 vota për Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar rezolutën e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për faljen e gjobave gjatë kohës së pandemisë, COVID-19.

Kjo rezolutë ishte propozuar nga shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili kërkoi suspendimin e të gjitha gjobave me qëllim që të ndihmohen bizneset dhe qytetarët.

Kryetari i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri në emër të propozuesit të interpelancës “falja e gjobave bizneseve të prekura nga situata me COVID-19”, ka kërkuar faljen e borxheve ndaj bizneseve, pasi sipas tij, shumë prej tyre rrezikojnë të falimentojnë dhe shumë vende të punës t’i mbyllin për shkak të pasojave të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Tahiri tha se është e domosdoshme legjitime falja e borxheve.

“Për të gjithë ne është shumë e qartë se gjobat e shqiptuara janë ligjshme mbi mandatin dhe nga ligji për menaxhimin e pandemisë, sidoqoftë meqë periudha e pandemisë së paku aktualisht është nën kontroll. Kemi hyrë në një periudhë që përpos shëndetit publik duhet t’i adresojmë edhe dëmet ekonomike dhe biznesore të shkaktuara nga pandemia”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nuk është kompetencë e ministrisë që t’i falë gjobat bizneseve të prekura nga pandemia. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Përshkallëzohet sërish protesta e opozitës, hidhet molotov në derën e Bashkisë

Përshkallëzohet sërish protesta e opozitës, hidhet molotov në derën e Bashkisë

Lajme
“Kryeministër si 2, si 7, si 27, është ngacmim seksual”, Lëvizja Studentore Feministe me aksion simbolik

“Kryeministër si 2, si 7, si 27, është ngacmim seksual”, Lëvizja Studentore Feministe me aksion simbolik

Lajme
QKUK-ja bëhet me skanerin PET/CT, donacion nga organizata

QKUK-ja bëhet me skanerin PET/CT, donacion nga organizata "Alwaleed Philanthropies Global" në bashkëpunim me Fondacionin “Jahjaga”

Shëndetësi
Dorëzimi i donacioni i PET/CT, Osmani takon princeshën Alsaud – flasin për projektet tjera në interes të qytetarëve

Dorëzimi i donacioni i PET/CT, Osmani takon princeshën Alsaud – flasin për projektet tjera në interes të qytetarëve

Lajme
Kalo në kategori