Takim i ri Kurti-Abdixhiku, a do të ketë marrëveshje?

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet të zhvillojnë sot një takim të ri në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit politik dhe gjetjen e një marrëveshjeje për presidentin e ri të Kosovës.
Sipas informacioneve të Telegrafit, takimi pritet të mbahet në ora 12:00.
Takimi i sotëm mund të jetë një prej më të rëndësishmëve deri më tani, madje edhe vendimtar për arritjen e një marrëveshjeje politike mes dy liderëve.
Kurti dhe Abdixhiku kanë zhvilluar disa takime ditëve të fundit, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën politike dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Takimi i fundit mes tyre u zhvillua të shtunën, ndërsa pas bisedimeve nuk u bënë të ditura shumë detaje rreth përmbajtjes së diskutimeve.
Kurti deklaroi shkurt se do të ketë lajme kur të ketë rezultate.
Tashmë, vëmendja është te takimi i sotëm, nga i cili pritet të kuptohet nëse palët janë afruar drejt një marrëveshjeje apo nëse ngërçi politik do të vazhdojë. /Telegrafi/








































