Vitia: Pajisje të reja dhe aneks i ri në Spitalin e Vushtrrisë, projekt 7.5 milionë euro

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se në Spitalin e Vushtrrisë po zhvillohet projekt për zgjerimin e hapësirave dhe rritjen e kapaciteteve trajtuese, përmes ndërtimit të një aneksi të ri.
Në një postim në Facebook, Vitia ka theksuar se aneksi do të ndërtohet sipas standardeve moderne dhe se do të pajiset me pajisje të reja mjekësore, duke shtuar se projekti kap vlerën 7.5 milionë euro.
“Po zgjerohen hapësirat dhe po rriten kapacitetet trajtuese në Spitalin e Vushtrrisë. Aneksi do të ndërtohet sipas standardeve moderne, me pajisje mjekësore të reja dhe kapacitete më të mëdha trajtuese. Vlera e projektit është 7.5 milionë euro”, ka shkruar Vitia.
Ai ka falënderuar Emiratet e Bashkuara Arabe për mbështetjen, si dhe Komunën dhe Kuvendin Komunal të Vushtrrisë për miratimin e lejes ndërtimore.
“Faleminderojmë Emiratet e Bashkuara Arabe për mbështetjen, si dhe Komunën dhe Kuvendin Komunal të Vushtrrisë për miratimin e lejes ndërtimore”, ka shtuar ai.
Në fund, Vitia ka thënë se procesi i transformimit në sektorin shëndetësor do të vazhdojë edhe më tej.
“Vazhdojmë transformimin, spital pas spitali”, ka përfunduar ministri në detyrë. /Telegrafi/




















































