LAJMI I FUNDIT:

Viti 2016, shumë i rëndë për qytetarët e Maqedonisë

Viti 2016, shumë i rëndë për qytetarët e Maqedonisë

Për të përmbyllur vitin 2016 Telegrafi Maqedoni ka folur me dhjetëra profesionistë të lëmive të ndryshme nga Maqedonia për të diskutuar të arriturat e tyre personale dhe profesionale gjatë këtij viti që u karakterizua me një laramani ngjarjesh.

Gjatë këtij viti Maqedoninë e karakterizuan protestat e ‘Revolucionit Laraman’ në Maqedoni dhe protestat për ajër të pastër në Tetovë.

Në gusht të vitit 2016 ndodhi tragjedia e vërshimeve , ku mbetën të vdekur 22 persona nga vendbanime rreth Shkupit.

Gjatë këtij viti pati dhjetëra tërmete ku në disa raste shteti dhe institucionet kërkonin që qytetarët të flejnë në vende të qeta dhe të sigurta.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 11 dhjetor, e për dikë ishin historike kurse për pjesën tjetër ishin vetëm përsëritje të zgjedhjeve të kaluara

Në vazhdim, Telegrafi Maqedoni do të ju prezentoj mendimet e disa njerëzve që i kemi zgjedhur nga çdo profesion.

”2016 ishte viti me përplot angazhime. Duke pasur parasysh faktin që përveç që merrem me muzikë, punoj edhe në Universitetin Ndërkombëtar në Strugë. Angazhimet e përditshme në punë dhe fundjavët me mbrëmje muzikore do e karakterizonin vitin 2016 për mua. Ka qenë një vit frytëdhënës duke patur parasysh numrin e madh të eventeve muzikore brenda dhe jashtë vendit ndërkohë edhe publikimin e disa këngëve të mia të reja dhe videoklipit tim më të ri. Them se ishte një vit i mbarë në aspektin profesional muzikor.” e vlerëson vitin 2016 Guximtar Rushani, këngëtar.

‘’Ky ishte një vit i tendosur politikisht në vendin tonë, raporte negative për lirinë e shprehjes, shqetësime për të drejtat e qytetarëve, për financat dhe shtetin ligjor. Poashtu, temat botërore që na hoqën nga agjenda ndërkombëtare siç ishin: tërheqja e Britanisë nga Bashkimi Evropian, fluksi i migrantëve në Evropë, paraqitja e rrymave ultra-nacionaliste, por edhe përzgjedhja e Trump-it në Shtetet e Bashkuara, për mua parqitën një politikë të dështuar globale dhe një tregues se çështjet tona duhet të zgjidhen vetëm me shtytje dhe organizim të brendshëm.

Përkundrazi nga ngjarjet politike, viti 2016 ishte shumë i suksesshëm për ne profesionalisht, në vazhduam me dhënien e shërbimeve stomatologjike në përputhje me kërkesat e pacientëve tanë në një nivel të ngjashëm si kolegët tanë evropian, kemi ngritur vetëdijen e pacientëve në lidhje mbi rëndësinë e shëndetit oral, me një tendencë që kjo vetëdije dhe ky edukim të vazhdojë në rritje edhe në 2017-n. Paralelisht me vetëdijesimin e pacientëve ne ngritëm edhe edukimin e vazhdueshëm tonë profesional. Unë personalisht ndjehem shumë mirë si krijues dhe pjesë e një grup-forumi në Facebook të quajtur Dentistët Shqiptarë (DSH) që ngritëm paraqitjen e dentistëve shqiptarë duke komunikuar për çdo ditë me shpërndarje të informacionit mes dentistëve, studentëve apo laborantëve dentar. ’’ vlerëson Krenar Papraniku, dentist.

”Ky vit edhe për mua si shumë qytetarë të Maqedonisë ishte përplot me pavendosshmëri që pamundësonte bërjen e planeve dhe përpjekjeve afatgjate, kurse fundi i këtij viti u karakterizua me fyerjet në baza kombëtare që merrnim ne shqiptarët në fushatën zgjedhore të një partie të cilën më në fund e rrëzuam nga qeveria. Në sajë të pavendosshmërisë të përgjithshme në vend edhe në profesionin tim isha i angazhuar vetëm në projekte afatshkurte.” e vlerëson vitin 2016, analisti Ramadan Ramadani.

‘’Viti 2016 ka qenë një vit përplotë sfida por dhe me rezultate pozitive në shumë aspekte. Mësimet e marra në disa nga organizatat në SHBA (qofshin ato institucione shtetërore apo organizata të shoqërisë civile) si dhe nga 22 shtete tjera të botës që në fillim të vitit 2016 kanë qenë padyshim një hap shumë pozitiv. Ka qenë kryesisht vit i mësimeve të shumta që sigurisht do sjellin rezultate edhe më të mira gjatë viteve në vazhdim. Aktiviteti i organizatës me të cilën unë udhëheq ka patur një ndikim goxha të madh në jetën publike të qytetarëve, por sidomos edhe në mënyrën e politikbërjes së përgjithshme në vend. Aktivitetet e shumta të organizatës të ndihmuara gjithmonë nga ekspertë të shumtë të vendit por edhe të huaj, të përkrahur e të realizuar nga dhjetëra aktivistë të shoqërisë civile në Maqedoni doeomos që kanë dhënë rezultatet e tyre. Përmes këtyre aktiviteteve ‘Eco Guerilla’ është shndërruar në një brend të njohur jo vetëm në rajonin e Ballkanit perëndimor por edhe më gjerë. Përmes formave të ndryshme të presionit, ne arritëm që të fusim në agjendën e partive politike kujdesin ndaj mjedisit jetësor si dhe të detyrojmë këto grupime, lëvizje e parti politike që t’i japin një vend më të lartë në agjendën e tyre mbrojtjes së mjedisit.’’ deklaron Arianit Xhaferi nga Lëvizja Eco Guerilla.

”Viti 2016 shkoi ashtu siç erdhi, me probleme sociale, ekonomike dhe ndëretnike. Nëse pajtohemi me thënien se fundi e zbukuron veprën, me pak fat, ky vit mund të jetë vit historik për shqiptarët e Maqedonisë dhe të gjithë etnive tjera në përgjithësi. Përndryshe, po të pajtohemi me thënien se dita e mirë shihet në mëngjes, ky do të ishte viti më i rëndë që qytetarët e kanë përjetuar vite me radhë. Viti që lamë pas, më solli shumë suksese personale me faktin se u dyfishua numri i pacientëve të regjistruar në organizatën shëndetësore që e udhëheq unë. Kënaqësia është edhe më e lartë kur merret parasysh fakti se prej organizatës sonë shëndetësore kanë dalë po aq pacientë të shëndoshë sa kanë hyrë të sëmurë. Do të thotë përqindja e diagnostikimit dhe mjekimit në kohë ka qenë 100%.” kështu e vlerëson vitin 2016, mjeku i përgjithshëm Liridon Disha.

”Për ju, për mua dhe për shqiptarët, duket se ky vit po vjen më i begatë se të tjerët, një vit të cilin shqiptarët duhet të dinë ta menaxhojnë sa më mirë. 2016-a ishte një vit dinamik, vit historik dhe viti i ndryshimit. Të gjithë ne si shqiptarë kemi mundësinë të vendosim si asnjëherë tjetër pozitën që duhet dhe absolutisht e meritojmë në shtetin tonë. Profesionalisht do kisha dashur të kisha pasur sa më pak pacientë, por nga ana tjetër rastet që kemi pasur janë trajtuar me sukses. Jam përjekur të fus sa më shumë teknika të reja, të cilat kanë revolucionarizuar ndjeshëm trajtimin e pacientëve. Ne kemi mjek të mrekullueshëm, është sistemi i investimeve që na sjell mangësi të rrezikshme, them kështu, pasi rritja e cilësisë teknike ndikon drejtpërdrejtë në zgjatjen, përmirësimin e jetës por sidomos në uljen e vdekshmërisë. Gjithsesi jam optimist, pasi nga ana profesionale ne si mjekë të Maqedonisë jemi me arritje në rrafshin ndërkombëtar, dhe kjo do të thotë që kemi një bazë shumë të rëndësishme shkencore.” kështu e vlerëson mjeku neurolog Arben Taravari vitin 2016.

‘’Duke pasur parasysh situatën politike qё ka kaluar vendi ynё gjatё dy viteve tё fundit, nuk ka funksionuar asgjё nё sferёn e kulturёs dhe artit nё pёrgjithёsi, pasi jam aktor i punёsuar nё Teatrin e Tetovёs, aktivitetet nё kёtё institucion kulturor kanё qenё shumё tё cunguara, pёr kёtё shkak nuk jam i kёnaqur nga ky vit sa i përket sferёs teatrore, por duke marrё parasysh se jam edhe ideator dhe udhёheqёs i emisionit “Hallkit” nё Alsat-M, mendoj se ky vit ka qenё viti mё i suksesshёm pёr sa i pёrket risive dhe shikueshmёrisё sё emisionit, gjё qё na bёn shumё krenar dhe tё lumtur pёr punёn qё jemi duke bёrё.’’ thotë Hasim Memishi-Sopi, duke e vlerësuar vitin 2016.

”Viti 2016 ka qenë viti më i veçantë në jetën time përshkak se shumë gjëra kanë qenë ndryshe nga vitet e kaluara. Do ta filloja nga shëndeti dhe për të qenë mirënjohës do të thoja se kam qenë mirë me shëndet. Ky vit, ishte gjithashtu viti ku jeta ime ndryshoi. Vetë për faktin se përfundova gjimnazin dhe tani jam në fakultet. Kam ndërruar ambient jetese dhe më ka ndërruar rrënjësisht shoqëria e gjithashtu të qënit larg familjes është një sprovë për t’u përgatitur për jetë. Për sa i përket profesionit mund të them se ky ka qenë viti më i suksesshëm në jetën time. Për faktin se unë sivjet fillova të mirrem me veprimtarinë e artit e të filmit , gjë që e dashuroj më së shumti. Në këndvështrimin tim suksesi më ka ndjekur që nga postimi i videove të para ku erdhi edhe ftesa për t’iu bashkangjitur televizionit më të madh kombëtar në Maqedoni. Rritja e audiencës në kanalet e mia në rrjetet sociale, kthimi i vëmendjes së shikuesve tek puna ime dhe “feedback”-u që më kanë dhënë ato janë padyshim suksese të mëdha”, tregon për punën e tij Faton Islami, student dhe artist i lirë.

”Përgjithësisht ka qenë një vit që ka përmbushur pritjet e mia. Në gjithë gamën e jetës sime gjërat kanë rrjedhur në përputhje me angazhimet e mia, ndjeshmërinë time për t’i dhënë kuptim ecjes sime si njeri, për t’i dhënë kuptim ekzistëncës sime në vijë të synimit për të përmbushur vetveten me gjëra të dobishme, të mira dhe të vlefshme. Padyshim, edhe gjatë këtij viti sfidat kanë qenë të mëdha, por me angazhim dhe përkushtim të vazhdueshëm besoj se ia kemi dalë, sepse janë një sërë projektesh dhe punësh të realizuara të cilat e vërtetojnë këtë gjë. Nuk them se çdoherë gjithçka ka shkuar ashtu siç duhet, por jam përpjekur që të menaxhojë në mënyrën më të mirë të mundshme, gjithnjë duke vendosur në plan të parë interesin e përgjithshëm, objektivat e veprimtarisë që drejtojë dhe problematikat, të cilave jemi përpjekur t’iu japim zgjidhje të qëndrueshme.” thotë Ahmed Qazimi nga Komuna e Tetovës.

”Si mund të ishte ky vit, kur botës i dhuroi një president si Trump? Unë personalisht shijova dy javë vjeshte të lezetshme në SHBA, në periudhën e fundit të Obamës. Takime me miq, ndjesi sa e bukur po aq e tendosur nga ethet parazgjedhore. Sikur parandjehej që kjo frymë që përcakton lëvizjet e fundit politike-ekonomike në botë, disi duket e paevitueshme deri në kthesën e zhvillimeve të rradhës në planin global. Në vendin ku jetojmë, duke filluar nga mungesa e ajrit të pastër dhe mungesa e shtetit ligjor, të gjitha të tjerat pastaj shkojnë ters.

Ndalimi i tymit dhe pluhurit që dilnin nga oxhaqet e kombinatit Jugohrom për 4 muaj gjatë këtij viti, pothuajse e përgjysmuan nivelin e ndotjes në qytetin ku unë dhe të dashurit e mi jetojnë. Nga këndvështrimi i punës që bëj me studion e dizajnit, ky vit ka pasur disa amplituda interesante me fokus të veçantë në ambalazhin ushqimor. Posteri për festivalin e filmit “Watch Out” në Tetovë dhe ai për Teatrin shqiptar të Shkupit, “Darka e thërrimeve” do i veçoja si më të realizuarat. Këtë vit bashkë me disa shokë profesionistë dhe unë si entuziast i aviacionit, në Shkup themeluam aero klubin Fenix, një dritare për horizonte të reja në fushën e aviacionit. Kthesa më e bukur ka qenë aktviteti me kompaninë gjermano-shqiptare Viva Helicopters, pjesë e së cilës jam edhe unë…”, kështu e vlerëson vitin 2016 Ngadhnjim Mehmeti, dizajnues grafik.

”Një vit me plotë sfida në rafshin profesional, për shkak të turbulencave politike. Mendoj që e kemi mbyllë më sukses, flas këtu si staf i të përditshmës “Koha”, sepse kemi qenë në nivelin e përgjegjësisë, konformë krizës politikë që e ka shoqëuar Maqedoninë gjatë gjithë vitit. Më bëjnë të kënaqur profesionalisht por edhe personalisht, hulumtimet e institucioneve ndërkombëtare për bësueshmërinë e mediave në Maqedoni, siç është Instituti Republikan Amerikan (IRI), që gazetën Koha, e nxjerrin si median e shtypur, më të besuar në nivel republikan. Pra thënë shkurtë nëse më hërët ishim gazeta e parë tek mediat shqipe, nga viti i kaluar jemi gazeta më e besuar nga gjitha gazetat tjera si shqipe po ashtu edhe maqedonase.

Në rafshin personal do kisha veçuar mirënjohjen apo medaljen e marrë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për kontributin tim mbi 15 vjeçar në gazetari. Mirënjohje, që e vlerësoj ndoshta jo vetën time, por për gjithë brezit tim të gazetarëve që, kontribuam e nuk kursyem asgjë nga vetja, në dy momentet më të rëdësishme të historisë më të re të shqiptarëve, siç është konflikti në Kosovë i vitit 1999 dhe i vitit 2001 në Maqedoni”, thotë themeluesi dhe drejtuesi i gazetës Koha, Arben Ratkoceri.

“Më e rëndësishme, duke ju falenderuar Zotit kemi patur shëndetin dhe kemi mundur të jemi pranë më të dashurve. Sigurisht në jetën time 2016-ta do të mbetet ndër vitet më të veçanta për shkak se pikërisht në mars të këtij viti u bëra baba për herë të dytë, pasi erdhi në jetë biri im. Në përgjithësi gjëra pozitive që do ja kisha dashur secilit dhe pengu i vetëm ndoshta është koha e paktë për të qenë me më të afërmit shkaku i angazhimeve të shumta profesionale. Por kur të llogarisim gjërat mirë, kjo është një sakrificë pikërisht për të siguruar jetë më të mirë dhe duhet të jemi të kënaqur që edhe kemi mundësi të punojmë. Në aspektin personal një tjetër vit i suksesshëm privat dhe profesional, duke llogaritur se pas një periudhe më të gjatë vura veten para një sprove duke ndryshuar ambientin e punës, pra kalimi nga Tv Alsat-M në Tv Shenja në fund të vitit 2015. Derisa 2015 vërtet spikati ndoshta në mënyrë bindëse si viti më i suksesshëm në karrierën time, atëherë duhej ai ndryshim që bëra për të provuar gjëra të reja. Jam i kënaqur me mënyrën si rodhën gjërat edhe pse gjithmonë mundet më mirë. Nisa vitin me një reportazh nga Dubai në ‘Globe Soccer Awards’, ndërsa në verë isha pranë kombëtares shqiptare në ‘Euro 2016’ pikërisht në ndeshjen historike të fituar 1:0 kundër Rumanisë. Më pas ecuria e Shkëndijës në Liga Evropa sigurisht se na dha atë ndjenjën për të qenë pak më gjatë se zakonisht pjesë e garave evropiane dhe kjo më bën të ndjehem i kënaqur me punën. Në televizion gjërat shkojnë duke u ngritur dhe emisioni ‘Sportmania’ në vete kaloi shumë emra të njohur që në një mënyrë më bëjnë të vlerësoj të suksesshëm vitin që lëmë pas. Te Shkëndija gjërat ecin në kahje shumë pozitive në fushëveprimin tim, ndërsa në FFM gjithmonë ka përvoja të reja që më shërbejnë shumë në profesionin tim.” thotë gazetari i sportit Faton Zylbehari.

‘’Vit jo shumë i mbarë, vit me ngërçe dhe sfida të shumta edhe në shoqëri edhe në jetën private. E kaluam të ngulfatur duke parë kalendarin e datave të “përfundimit të krizës” dhe kthimit në normalitet, data që në fakt nuk ndodhën kurrë. Personalisht, vitin e kalova me angazhime në Teatër dhe Televizionin 21, si dhe projektet e tjera ad-hoc, një periudhë që kërkonte energji enorme. Do ta mbaj mend si vit të sakrificës së madhe personale, por edhe të kënaqësisë njëkohësisht. Edhe viti 2016 për veprimtarinë e Teatrin Shqiptar kaloi në kushte të jashtëzakonshme, por me suksesin maksimal konform rrethanave në të cilat punojmë. Publiku ndoqi pesë premiera, trupa mori pjesë në të gjitha festivalet në vend, mahniti publikun e Adanasë në Turqi, si dhe atë të Prishtinës.” tha Anita Latifi nga Teatri Shqiptar i Shkupit.

”Pjesa më e vështirë ka qenë për të marrë frymë për shkak të ajrit të ndotur, ndërsa pjesa tjetër ka qenë në rregull në përgjithësi me disa përjashtime të vogla. Ka qenë vit mjaft i lodhshëm pasi që kemi pasur aktivitete të shumta, duke nisur nga protestat e ‘Revolucionit të larmë’, vërshimet në Hasanbeg, tërmetet e njëpasnjëshme, fushatën zgjedhore dhe në fund edhe zgjedhjet.” thotë mes tjerash Besian Leka, nga Televizioni 21 në Maqedoni.

”Jetën nuk duhet ta ngarkojmë me vite, por me vepra. Është mirë që të numërojmë sa më shumë vepra të mira, për të mirën e përgjithshme sesa vite kalendarike. Kështu jam munduar ta shënojë vitin 2016 edhe besoj se I’a kam dalë. Ka shumë gjëra që do i kisha lënë në vitin 2016, po ka ca të tjera që i kisha ngarkuar edhe në vitin që po vjen, si frymëzim për më shumë punë dhe përkushtim në atë që e bëj ushtrimin e profesionit të gazetarit, por edhe analizat politike, si politikolog. Viti 2016 nisi mbarë, promovova librin tim të parë “(Neo)Uillsonizmi”. Vepër që më inkurajon që të jap më shumë mund dhe përpjekje në fushën akademike. Në aspektin e profesionit të gazetarisë, viti 2016 kaloi me shumë dinamizëm dhe shpejt. Ngjarje nga ora në orë. Çdo moment i frytshëm dhe interesant për opinionin e gjerë. Momente që të japin shtytje që të jesh më aktiv dhe gazetar që ofron te lexuesi informacionin e shpejtë, të saktë dhe objektiv, kur është nevoja edhe me dozë kritike. Kriza shënoi këtë vit në aspekt politik, bisedimet në Përzhino, që rezultuan me formimin e Qeverisë teknike dhe institucionit të Prokurorisë Speciale Publike, që në opinion u prit si diçka “e zbritur nga qielli” që do ta kthente drejtësinë dhe besimin në institucionet e drejtësisë.” thotë politikologu Xhenis Sulimani.

”Personalisht ishte një vit i qetë, kryesisht me sfida profesionale, por më shumë nga ato që nuk duken në media. Prej një kohe kam dashur dhe vazhdoj të dua të gjej më shumë kohë për lexim por disi nuk arrij dot. Jam përpjekur që të kryej me profesionalizëm mision tim. Nëse do të veçoja diçka, është debati për zgjedhjet me të gjitha partitë, ku morën pjesë edhe OBRM-PDUKM edhe LSDM edhe BDI dhe PDSH i cili edhe pse do duhej të ishte normalitet, për shkak se nuk kishte ndodhur me vite disi shënoi 12 muajt në profesion. Për të tjerat them më mirë publiku të bëjë vlerësimin.” thotë Nazim Rashidi nga Alsat-M.

”Për mua viti i kaluar ishte një vit i mirë. Në familje dhe shoqëri kam pasur shumë momente të bukura. Kuptohet që edhe momentet e vështira kanë qenë prezente, por jeta do të ishte e pakuptimtë pa ato. Nëse do të kisha përmbledhur të gjitha, momentet e mira janë individuale, ndërsa vështirësitë janë kolektive, apo ato që shqetësojnë çdo qytetarë të rëndomtë. Në plan profesional 2016 do ta konsideroja një vit mesatarisht të suksesshëm. Jashta obligimeve në mësimdhënie, për të cilat nuk mund të jap vlerësim unë, brenda këtij viti kam publikuar disa punime shkencore, dy nga të cilët janë hulumtime të sferës politike juridike si dhe jam paraqitur në disa konferenca në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar. Gjithashtu jam i kënaqur nga ecuria e revistës shkencore ndërkombëtare CRC – Journal, të cilën e botojmë me disa kolegë profesorë nga universitete më në zë si: Harvardi, Sorbona, Stokholmi, si dhe disa universitete nga shtete të ndryshme. Në këtë vit arritëm të publikojmë dy numra të ri, në të cilat autor nga shumë shtete publikuan hulumtime dhe studime të tyre nga shkencat sociale. Gjithashtu jam në përmbyllje të punëve teknike të një libri i cili së shpejti do të publikohet.” thotë profesori universitar Qashif Bakiu.

”Viti 2016 tregoi sesa fragjile janë shtetet post-socialiste në ndërtimin e shtetit ligjor, përpjekjeve për demokratizim dhe luftës kundër korrupsionit. Një fakt që duhet përmendur, është migrimi apokaliptik në Europë dhe rruga tranzitore përmes Maqedonisë. Këtu duhet theksuar daljen e Britanisë së Madhe, agresivitetin e Rusisë dhe rritjen e ekstremizmit të dhunshëm në botën e ekspozuar nga aktorët jo shtetërorë. Si shtesë dhe me rëndësi, janë zgjedhjet në Maqedoni dhe kriza e cila mund të pasojë në vitin 2017 për të luftuar korrupsionin, funksionimin e shtetit ligjor,rastet e montuara politike dhe e ardhmja e marrëdhënive shqiptaro-maqedonase. Ngjarjet e fundit në Maqedoni dokumentuan se qeveria dhe partitë politke kanë dështuar në reformat drejt BE-së. Ndërsa tek shqiptarët nga zgjedhjet e fundit si rastësi ishte fuqizimi i partive opozitare, lëvizja e elektoratit shqiptar dhe rënia e partive qeveritare. Në këtë drejtim duhet përmendur se bota po ndryshon dhe një rend i ri ndërkombëtar po krijohet në Ballkan dhe Europë. Në jetën private dëshiroj të potencoj ngjarjen kryesore të vitit dhe kjo ka të bëjë me lindjen e vajzës sonë të vetme e pagëzuar me emrin Lisa, e cila e ndryshoi dinamikën familjare. Në lidhje me karrierën- ngritjen profesionale të vitit që po lamë pas, do ta karakterizoja si solide, me botimin e librit: ”Paqja e Ftohtë”, -Dhjetëvjeçari i rikonfigurimeve gjeopolitke në Ballkan-botim i Qendrës për Studime të Sigurisë dhe Zhvillim-Maqedoni.” e vlerëson vitin 2016 eksperti për siguri dhe gazetari, Selim Ibraimi.

Telegrafi ju uron një vit të mbarë me shumë shëndet dhe lumturi. Telegrafi Maqedoni do të vazhdoj të mbetet dritarja reale për të ju informuar juve edhe gjatë vitit 2017 dhe shumë vite tjera.

Telegrafi, shoku juaj i ngushtë!

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Propozimi i PDK-së për datën e zgjedhjeve, ristrukturimi në këtë parti dhe deklarata e Hamzës për Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn

Propozimi i PDK-së për datën e zgjedhjeve, ristrukturimi në këtë parti dhe deklarata e Hamzës për Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn

Lajme
Kalo në kategori