LAJMI I FUNDIT:

Visar Arifaj: Thaçi dhe Veseli janë brenda kornizave ideologjike të Partisë së Fortë

Visar Arifaj: Thaçi dhe Veseli janë brenda kornizave ideologjike të Partisë së Fortë

Kryetari Legjendar i Partisë së Fortë, Visar Arifaj, ka treguar në një intervistë për Info Magazine të Klan Kosovës se ai vazhdon të ketë bashkëpunim të ngushtë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin.

“Partia e Fortë gjithmonë ka qenë e frymëzuar nga partitë në vend, por partitë tjera po frymëzohen nga ne po ashtu. Jam shumë i sigurt që Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë brenda kornizave të funksionimit të Partisë së Fortë”, ka thënë Arifaj.


Kryetari miliarder ka treguar edhe për infiltrimit e Partisë së Fortë brenda Presidencës së Kosovës.

“Ardiani (Arifaj), duke qenë edhe baci im, gjatë gjithë jetës – ndoshta duke qenë edhe student i filozofisë – ka qenë këshilltar shumë i mirë. Ai vazhdon të jetë vëlla dhe këshilltar shumë i mirë dhe natyrisht që Partia e Fortë ka përfaqësues edhe ndikim edhe në Presidencën e Kosovës”.

Legjendari ka folur edhe për kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

“Pas qeverisjes së Isa Mustafës, kanë dalë në pah projektet shumë të ngjashme tonat me ato të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, Isa Mustafën nuk e ftojmë në partinë tonë, pasi është figurë e konsumuar dhe nuk e besoj se mund të sjell të mira tek ne”, tha Arifaj.

Ai ka shpjeguar se ku dështuan partitë tjera politike në Kosovës dhe si arriti partia e tij t’i dominojë të gjitha një nga një.

“Partitë tjera janë ‘ngulë’, sepse janë bllokuar diku në mes sinqeritetit dhe paraqitjes artificiale para qytetarëve – që nuk presin që ata të flasin drejtë”, ka thënë Arifaj.

“Ata duan që të dalin sa më bindës, që për mendimin tim është përpjekje e kotë”, ka thënë legjendari, duke treguar se cila është filozofia fituese në politikë.

“Ne nuk e kemi problem t’i ndërrojmë qëndrimet, që sot të themi diçka tjetër, nesër diçka tjetër, sepse të gjithë e dinë që ne ato i bëjmë për vota”.

Legjendari ka treguar edhe për politikanët e tjerë që do të kenë nderin t’i bashkohen Partisë së Fortë.

“Shefki Gashit i kemi ofruar vend në partinë tonë dhe besoj se ai çdo ditë e shqyrton atë mundësi. Kemi raporte të mira me të dhe për dallim me të tjerët në partinë e tij, ai është shumë më afër Partisë së Fortë për nga sinqeriteti”.

Arifaj ka treguar edhe se çfarë po i mungon kohëve të fundit në politikë.

“Tash e një kohë neve na ka munguar spektakli i Kuvendit, gazit lotsjellës, polarizimi i skenës, mundësia që një parti në një moment të jetë drastikisht kundër tjetrës, dhe më pas shumë afër”.

Legjendari tregon edhe se kurrë Partia e Fortë do të futet në lojë sa i përket Asociacionit.

“Asociacioni ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga pikat për të cilat ka më shumë kacafytje mes pozitës dhe opozitës. Partia e Fortë e di gjithmonë që në kësi rastesh e vërteta qëndron në asnjërën anë, por diku në mes. Por për t’u ruajtur nga opinioni publik, e kemi mbajtur të heshtur qëndrimin tjetër. Ne do t’i lëmë që partitë tjera të lodhen duke luftuar dhe pastaj ne t’i gjejmë të lodhura”.