Ibrahim Çaka i njohur si Everest Çaka, ka qenë i dyshuar për vrasjen e shoferit të autobusit Gëzim Alikaj, ngjarje e ndodhur tek zona e Doganës në Elbasan, 11 vite më parë.

Disa vite pas vrasjes së Gëzimit, është vrarë Florenc Alikaj ose “Lenc Kokëmadhi”, i cili sapo kishte dalë nga burgu në Spanjë ku ishte dënuar për trafik droge.

Çaka 12 vite më parë ka humbur vëllanë e tij në Spanjë që njihej në Elbasan me nofkën “Noçe”, dhe për këtë vrasje dyshohet se është autor “Nel Çami”.

Si kundërpërgjigje të vrasjes së “Noçes”, qëllohet me armë dhe plagoset Bujar Mahmuti, vëllai i “Nel Çamit”.

Njëherësh Everest Çaka, është dyshuar edhe për një ngjarje tjetër të rëndë, e ndodhur në mars 2011, ku në lagjen “Syrja Dylgjeri”, janë qëlluar me nga një plumb në kokë teksa flinin në një dhomë, dy vëllezërit Xhelal dhe Pëllumb Mahmuti, si dhe babai i tyre, Emin Mahmuti.

Ekzekutimi mafioz në Elbasan, viktima u qëllua mbi dhjetë herë Ekzekutimi mafioz në Elbasan, viktima u qëllua mbi dhjetë herë

Këta të fundit ishin vëllezërit dhe babai i “Nel Çamit”.

Vrasja e dy djemve dhe babait të tyre është kryer në sy të Myzejen Qoses, bashkëshortes së Pëllumbit, e cila ka parë të gjithë ngjarjen dhe në ikje e sipër autori është përleshur me Myzejenin, duke e qëlluar me një plumb afër syrit, por fatmirësisht gruaja ka shpëtuar.

Për këtë ngjarje kriminale ku u asgjësua plotësisht familja Mahmuti, policia e Elbasanit vuri në dispozicion plot 50 mijë dollarë shpërblim, për këdo që jepte informacion mbi autorët, por deri tani kjo nismë nuk ka dhënë asnjë rezultat.

Në banesën e familjes Mahmuti, policia dhe prokuroria në 2011 kanë mundur të sigurojnë një profil ADN-je, në dorezën e derës hyrëse të shtëpisë, dhe ky profil besohet se i përket autorit të krimit, i cili ka vepruar i vetëm brenda në banesë.

Po ashtu në murin rrethues të shtëpisë (avlli) nga ka kapërcyer autori, për të hyrë në brendësi të shtëpisë, është sekuestruar dhe një kapele.

Sot pas 10 vitesh nga kjo ngjarje e rëndë ekzekutohet thuajse me të njëjtën dinamikë krimi dhe Everest alias Ibrahim Çaka, i cili është vrarë në sy të gruas së tij.

Everest Çaka ishte dhe kushëriri i Arjan Spahiut i vrare ne nëntorin e 2020 në Molenbek te Belgjikes. /Ora News/