LAJMI I FUNDIT:

Vjen fundi për Ford S-Max dhe Ford Galaxy – nuk kanë ndonjë model pasardhës

Vjen fundi për Ford S-Max dhe Ford Galaxy – nuk kanë ndonjë model pasardhës

Ford me krenari njoftoi se do t’i nënshtrohen “transformimit më të madh në historinë e kompanisë”, transformim ky i cili të paktën në Evropë përfshinë ripozicionimin e tyre në treg si një markë më aventureske.

Duke kundërshtuar disi këtë filozofi të re, prodhuesi i automjeteve tani konfirmon se prodhimi i modeleve S-Max dhe Galaxy – automjetet e tij më të gjera dhe të gatshme për aventura në kontinentin e Vjetër – do të ndërpritet në pranverën e vitit të ardhshëm pa zëvendësime të drejtpërdrejta.


Vendimi vjen si rezultat i tranzicionit të Ford-it drejt një game produktesh tërësisht elektrike dhe si përgjigje ndaj ndryshimit të kërkesës së klientit, raporton motor1, përcjell Telegrafi.

Ford Galaxy u lansua në Evropë në vitin 1996 kur gjenerata e parë e transportuesit familjar mbërriti si një produkt i ndërmarrjes së përbashkët midis Fordit dhe Grupit Volkswagen.

Modeli gjithashtu u shit si Volkswagen Sharan dhe SEAT Alhambra, por kur modeli i gjeneratës së dytë debutoi në 2006, ai u zhvendos në një platformë të re të përbashkët me Mondeo. Që nga lansimi i saj në treg, në të gjithë kontinentin evropian janë shitur më shumë se 820,000 njësi të Galaxy.

Galaxy i gjeneratës së dytë doli në shitje së bashku me S-Max më sportiv, nga i cili rreth 570,000 ekzemplarë u janë dorëzuar klientëve që nga viti 2006. Megjithatë, vetëm në vitin 2021, shitjet ranë në mënyrë dramatike dhe u shitën vetëm 4,700 njësi Galaxy dhe 7,400 njësi S-Max në Europë.

Nga Ford deklaruan se “libri i porosive” për këto 2 vetura u mbyll së fundmi, gjë që do të thotë se ju më nuk do të mundeni që të porositni një S-Max ose Galaxy të re. Vetëm porositë ekzistuese të klientëve do të prodhohen në fabrikën e Ford-it në Valencia, Spanjë, përpara se të dy modelet të ndërpriten.

Nëse ju sot dëshironi që ta blini një Ford të ri “të madh” në tregun evropian, opsionet tuaja aktualisht janë të kufizuara në Kuga SUV, i cili shitet me motorë me djegie dhe me motor hibrid. /Telegrafi/