LAJMI I FUNDIT:

Vietnami dhe Hollywoodi: Lufta që ndërroi Amerikën

Vietnami dhe Hollywoodi: Lufta që ndërroi Amerikën

Lufta në Vietnam do të shkaktojë tronditje shumë të mëdha në Amerikë, në të gjitha segmentet e saj. Ndryshimet e mëdha të shoqërisë amerikane, pasojat e kësaj lufte, do të përcillen edhe në industrinë e filmit: Prej “Hair”, “Deer Hunter”, deri te filmi “We Were Soldiers” nga Randal Wallace, me Mel Gibsonin në rolin kryesor.

Nga: Blerim Shala (shkrim i publikuar më 2001, në Javoren Politike Shqiptare – “Zëri”)


Lufta në Vietnam vazhdon të mbetet njëra nga temat e preferuara të Hollivudit.

Këtë e vërteton filmi “We Were Soldiers”, i regjisorit Randal Wallace, me Mel Gibsonin në rolin kryesor. “We Were Soldiers” është xhiruar në bazë të librit të gazetarit amerikan Joe Gallowey “We Were Soldiers, Once and young”.

Fjalia që Amerika kurrë më nuk do të jetë e njëjtë, e cila aq shpesh u dëgjua pas sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Uashington dhe në Nju-Jork, ka qenë kryemendimi amerikan edhe gjatë lutës në Vietnam.

VITI 1965 – VENDIMI PËR TË HYRË NË LUFTË TOTALE

Kur John F.Kennedy u bë Kryetar i Amerikës, më 1960, shumëçka ndërroi në Amerikë.

Kennedy ishte kryetari më i ri në historinë e Amerikës, ishte i afërt me Hollivudin dhe nuk fshehte që Amerika duhet të luajë një rol të veçantë në botë që SHBA-ja është shtet me mision për të ndihmuar përhapjen e lirisë dhe të demokracisë në botë. Kennedy në Berlin u tha gjermanëve që edhe ai është berlinez, për të treguar kështu preokupimin e Uashingtonit me lirinë e Evropës, ndërsa amerikanëve u drejtoi thirrjen që të bëjnë më shumë për atdheun e tyre.

Vrasja e Kennedyt, më 1963, asnjëherë e zbardhur deri në fund, do të lërë pasoja të mëdha në politikën amerikane. Pasardhësi i tij, Lyndon Johnson, do të mundohet të vazhdojë aty ku mbeti Kennedy, por ai nuk kishte karizmën e JFK-së dhe as aftësinë e balansimit midis interesave amerikanë, misionit të përhapjes së lirisë dhe gatishmërisë për kompromis, e cila ta zëmë, bëri që Amerika të heq qafe raketat nga Kuba pa hyrë në luftë me Bashkimin Sovjetik.

Në vitin 1965, Johnson do të marrë vendimin për mbrojtjen, me çdo kusht, të interesave amerikanë në Vietnamin Jugor i cili sulmohej asokohe nga Vietnami Verior ku ishte instaluar regjimi komunist. Ky vendim do t’i kumtohet popullit amerikan, tok me lajmin për angazhimin e 125000 ushtarëve amerikanë. Kur Uashingtoni e bëri këtë, me gjasë, vlerësoi që do t’ia arrijë të shpëtojë së paku Jugun e Vietmanit prej komunizmit, ashtu siç bëri më parë me Jugun e Koresë.

Por, Vietnami ishte rast tjetër.

Dhjetë vjet më pas Vietnami do të bashkohet. Afër 60,000 ushtarë amerikanë do të vriten atje. Ata që mbijetuan, kur ktheheshin në vendlindje, priteshin si të urryer, si vrasës, si humbës. Ushtarët viktima kështu identifikoheshin me një luftë të cilën amerikanët nuk e deshën. Siç do të theksohet në fund të filmit “We Were Soldiers”, në fillim ushtarët amerikan luftonin për flamur dhe për atdhe, e mëpastaj kuptuan që duhet të luftojnë për njëri-tjetrin. Vetëm për njëri-tjetrin.

Lufta në Vietnam, sa zgjati, ishte burim i tronditjeve të mëdha brenda vetë Amerikës, gjë që nuk kishte ndodhur në asnjë nga luftërat të cilat deri atëherë Amerika i kishte bërë kudo në botë, gjithnjë duke fituar dhe përherë duke pasur sakrifica të mëdha. Trazirat e shumta dhe protestat paqësore, hippie lëvizja dhe “flower power”, involvimi gjithnjë i madh i majtizmit në qarqet intelektuale, goditën fort Shtëpinë e Bardhë e cila me konservativizmim tradicional amerikan e jo me atë qasjen liberaliste të Kennedyt, mundohej të justifikonte luftën në Vietnam. Në filmin “Nixon” të Oliver Stonet, nëse ju kujtohet, është një skenë antologjike kur Nixon (të cilin e luan Anthony Hopkisn), nëse nuk gabojmë, në Memorialin e Abraham Lincolnit, takohet me një grup të rinjsh.

GREMINA QË MBUSHEJ ME KUFOMA

Nixoni, i cili përndryshe do të angazhojë Henry Kissingerin për t’i dhënë fund angazhimit amerikan në Vietnam, do të mundohet kot t’u shpjegojë të rinjve pse Amerika gjendet në Vietnam. Midis tij, Shtëpisë së Bardhë dhe amerikanëve të zakonshëm ishte vendosur gremina e Vietnamit, e cila përditë e më tepër mbushej me kufoma të ushtarëve amerikanë të cilët vriteshin në një luftë të kotë.

Kjo greminë, ky moskuptim midis establishmentit dhe miletit, do të shprehet edhe në art: në muzikë, në rok në veçanti, në teatër dhe, mbi të gjitha, në film.

Në vitet e shtatëdhjeta ishin dy filma të jashtëzakonshëm, të cilët u morën me Vietnamin.

Këtu nuk duhet harruar filmin “Hair” të Milosh Formanit, i cili ishte ekranizim i mjuziklit të njohur. “Hair” shkëlqyeshëm paraqet kundërthëniet e mëdha në shoqërinë amerikane të të gjashtëdhjetave, kur në një anë kemi rininë të preokupuar me rok, me flokë të gjata, me një sistem të ri vlerash, të cilat, para së gjithash, ishin një mohim, një refuzim i vlerave tradicionale dhe, në anën tjetër, kemi establishmentin amerikan i cili s’kuptonte dhe shpërfillte këto ndryshime. “Hair” ishte një film anti-luftë, i cili ofronte tërë naivitetin dhe pafajësinë e një brezi i cili kishte ideale të reja karshi gjeneratave të mëparme amerikane. Po ashtu, këtu duhet përmendur edhe tre filma të tjerë për Vietmanin të kësaj periudhe: “Coming Home” të Hal Ashbyt, “Go to tell Spartans” të Ted Postit dhe “The Boys in Company C” të Sindey Furiesë.

Megjithatë, dy filmat më të njohur që janë marrë drejtpërdrejt me luftën në Vietnam dhe në Azi, janë “Apocalpyse Now” i Frencis Ford Coppolas dhe “Deer Hunter” i Michael Ciminos. “Deer Hunter” mori pesë “Oscarë”, ndërsa Coppola mori “Palmën e Artë” në Festivalin e Kanës për “Apocalypse Now”.

Filmi i Ciminos merret me fatin tre ruso-amerikanëve të cilët do të shërbejnë në Ushtrinë amerikane në Vietnam. Skena e Ruletit Rus, të cilin detyrohen ta luajnë Robert De Niro dhe Christopher Walken, si robër lufte, është një nga ato që hynë në antologjinë e filmit.

Por, “Deer Hunter” nuk është marrë fort me shkaqet e luftës amerikane në Vietnam. Këtu nuk ka justifikim, as akuzë, por vetëm përshkrim i fatit të ushtarëve amerikanë.

Te Coppola, në “Apocalypse Now”, filmi për Vietnamin, për një kolonel të çmendur, i bazuar në novelën e Joseph Conradit, “Heart of Darkness”, të shkruar dekada para se të nisë lufta në Vietnam, shndërrohet në përpjekje të Coppolas për të kuptuar thelbin e të së keqes. Vietnami, pra, shfrytëzohet këtu për të rihapur një debat thuaja teologjik. Megjithatë, lufta e paraqitur nga Coppola në “Apocalypse Now” nuk lë mëdyshje për karakterin e saj dhe për konfuzionin amerikan.

“WE WERE SOLDIERS” – FILM ME QASJE TË RE

Fundvitet e shtatëdhjeta do të shënojnë kthesë në politikën dhe në filmin amerikan. Humbjet e njëpasnjëshme të administratës së Jimmy Carterit (president amerikan në vitet 1976-1980) në Nikaragua, në Iran dhe në Afganistan bënë që Amerika të kërkojë shpëtim në kryetarin Ronald Reagan, i cili vinte nga Hollivudi me teorinë e luftimit të së keqes (komunizmit), kudo që ai gjendet. Kështu, për vite të tëra nuk kishte përpjekje të re për t’u ballafaquar me Vietnamin. Në të vërtetë, Hollivudi i kohës së Reaganit do të lansojë Rambo Stallonen, i cili në disa vazhdime do të bëjë kërdi në Vietnam dhe në Afganistan.

Më vonë, Oliver Stone do të xhirojë “Platoonin” dhe Stenley Kubrick “Full Metal Jacket”. Stone kishte shërbyer vetë në Ushtrinë amerikane, prandaj, filmi i tij atëbotë vlerësohej si vepra më objektive kinematografike që i dedikohej kësaj lufte. Kubrick po ashtu kishte bërë një film shumë të mirë.

Në këtë historik të shkurtër, kushtuar filmit amerikan dhe luftës në Vietnam, mbërrimë kështu deri te “We Were Soldiers” i Mel Gibsonin dhe Randal Wallace.

Në vazhdim të krahasimeve të momentit politik me atë filmik, siç bëmë më herët, këtu do të mund të thuhej që “We Were Soldiers” u paraqit pas tmerrit të 11 shtatorit, kur amerikanët iu kthyen, si kurrë më parë në dhjetë vjetët e fundit, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, skemës së patriotizmit tradicional. Thuhet që “We Were Soldiers” ishte kryer më herët, por që autorët e tij nuk deshën ta promovojnë atë derisa ende ishin shumë të freskëta pasojat e 11 shtatorit. Kjo nuk do të thotë që “We Were Soldiers” është një film i cili është shumë problematik për atmosferën e sotme që mbretëron në Amerikë.

Lufta në Vietnam ishte tjetërfare, e pakrahasueshme me luftërat e mëparme të Amerikës dhe me këtë të sotmen, e cila ka bashkuar Amerikën, Evropën dhe shumicën e shteteve në botë.

“We Were Soldiers” është një film i veçantë për shumë aspekte. Ai përshkruan betejën e parë të Ushtrisë amerikane me atë të Vietnamit Verior, e cila ndodh në nëntor të vitit 1965, në “Fushën e Vdekjes” (në Ia Drang). Këtu do të ballafaqohen 450 ushtarë amerikanë, nën komandë të kolonelit Hal Moore (e luan shkëlqyeshëm Mel Gibson) dhe 2000 ushtarë vietnamezë. Në një betejë triditëshe, e cila e tëra do të zhvillohet të thuash fyt më fyt, do të vriten 70 amerikanë dhe 1800 vietnamezë. Beteja në Ia Drang herët do të paralajmërojë disfatën amerikane, edhe pse këtu koloneli Moore doli ngadhnjyes: Do të kuptohet që vietnamezët janë në gjendje të sakrifikojnë gjithçka për fitore dhe që Uashingtoni do të detyrohet të tërhiqet. Vendi në të cilin ktheheshin ushtarët e mbijetur amerikanë nuk ishte ai i njëjti, i cili i kishte dërguar në luftë. Siç do të theksojë koloneli Moore, shumica e amerikanëve nuk do të jetë në gjendje të dallojnë luftën, të cilën e urrenin, prej ushtarëve amerikanë të cilët luftonin atje.

“We Were Soldiers” është i veçantë edhe në aspektin e paraqitjes, në mënyrë mjaft objektive të te dy palëve në luftë: Këtu nuk vriten dhe vuajnë vetëm ushtarët amerikanë, por edhe ata vietnamezë, të cilët po ashtu kanë familje, të afërm, të dashura, fëmijë… dhe atdhe. /Telegrafi/