LAJMI I FUNDIT:

“Vetmia” e Pasolinit

“Vetmia” e Pasolinit
Pier Paolo Pasolini (foto nga: Dino Pedriali)

Nga: Aurel Plasari

Fotografi emërmadh Dino Pedriali, që u nda nga jeta këtë 11 nëntor, qe me fat: trajtoi si “objekt” parësor të objektivit të tij një shkrimtar si Pier Paolo Pasolini. Mirëpo, jo me më pak fat ishte edhe Pasolini, që u ngulit për lexuesit e tij në fotot e një mjeshtri si Pedriali.

Tani, që mjeshtri nuk është më, e sjell ndër mend si kujtim të rrallë vizitën në muzeun e Romës, më 1995, në njërën nga ekspozitat e tij të shumta, atë me titull “Pier Paolo Pasolini: Testamento del Corpo” (Testamenti i trupit).

Më shumë se fotot cullak të shkrimtarit bizar, që joshnin shumë nga vizitorët, m’u ngulit në kujtesë një foto e tij krejt e veçantë në tryezën e shkrimit. Do të kisha dashur “ta kisha”, por as guxoja të pyesja për çmime; kuptohej se sa të shtrenjta do të ishin veprat e Pedrialit. Vetëm bleva, në tryezën e botimeve të tij, një libër për mjeshtërinë e fotografit, që as e kam ruajtur.

Këto ditë të përcjelljes së “fotografit të Pasolinit” u gëzova që gjeta ndër postime edhe foton time të parapëlqyer të asaj ekspozite. Asaj fotografi i kishte vënë titullin “La solitudine” (Vetmia) dhe si diçiturë thënien e Pasolinit: “Bisogna essere molto forti per amare la solitudine” (Duhet të jesh shumë i fortë që ta duash vetminë). E kam gjetur si varg në njërën nga pozitë e shkrimtarit të botuar në përmbledhjen e mëvonshme “Vargje të testamentit” (1997).