LAJMI I FUNDIT:

Vetëm pajtimi mbyllë plagët e gjakmarrjes

Vetëm pajtimi mbyllë plagët e gjakmarrjes
Ilustrim

Nuk ka masë ligjore, qoftë drakonike, që ka mbyllur si duhet plagët e shkaktuara nga gjakmarrja. E vetmja fjalë që i vë kapak kësaj plage, është pajtimi. Këtë temë e gjejmë të trajtuar më gjatë e më mirë në rapsodinë popullore sesa nga organet ligjore të shoqërisë sonë.

Kënga folklorike, fare pak, për të mos thënë kurrë, i është nënshtruar kritikës letrare, e mbi të gjitha humane, për të cilën ajo ka pasur dhe ka nevojë edhe sot! Megjithëse janë thurë tekste me mjeshtri të rrallë, autori anonim, duke përdorë thesarin popullor, me mjeshtri të pakrahasueshme ka përdorë shumë figura stilistike, alegori e hiperbola, me qëllimin më të mirë për të prekur pikat më kulmore të problemit të gjakmarrjes. Kënga që i këndohet hakmarrjes është mjaftë e përhapur dhe duket sikur asnjëherë nuk është kuptuar në masën e synuar porosia që ajo ruan brenda vargut të saj për shërimin e kësaj plage të rëndë kombëtare, dhe nganjëherë duket sikur ka stimuluar problemin e madh.


Njohësit më të përkushtuar të krijimtarisë folklorike kanë hasur edhe ndonjë përpjekje për të korrigjuar diçka në këto rrjedha të rënda të jetës në shoqërinë tonë. Kujtojmë mirë Lëvizjen e madhe për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, në krye të së cilës qëndroi prof. Anton Çetta. Ka pasur edhe shkrime për punën e madhe që u bë, por jo në masën e duhur që kjo të kurorëzohet me sukses deri në fund.

Kjo dëshmohet më së miri nga numri i vogël i rapsodive që i janë thurë Lëvizjes për Pajtim, në krahasim me numrin e atyre që këndohen për gjakmarrjen tash e një shekull. Vlerësohet se rapsodia kushtuar gjakmarrjes i ka mbijetuar kohës mu për shkak të vargut mjeshtëror të autorit që zakonisht ka mbetur përherë anonim.

Ndaj, është e çuditshme se si nuk mësuam kurrë nga aq shumë pasoja që patëm nga gjakmarrja, të cilën rapsodët më të njohur shumë herë e kënduan e vazhdojnë ta këndojnë me pasion dhe pa asnjë presje t’i thurin vargje që në plan të parë duken si lavde të kësaj të lige të zezë. Është e sigurt se autori i këtij lloji të rapsodisë, kishte motiv të fortë kur ka thurë vargje që në jo pak raste ua kalon edhe shkrimtarëve me nam.

Pasojat e gjakmarrjes ishin e vazhdojnë të jenë tepër të rënda, deri në masë shfarosëse të shumë familjeve. Shumë herë kjo e ligë shekullore mori jo vetëm shumë jetë të pafajshme, por edhe rrezikoi trefish më shumë anëtarë të familjeve që ranë në hasmëri, duke filluar nga brenda familjes, e deri të individët që nuk kishin asnjë lidhje gjaku. Jo pak herë pati edhe vrasje pahiri (gabimisht), por dhe këto raste lidhen drejtpërdrejt me gjakmarrjen, pasi autorë të tyre janë ata që jetojnë me këtë bela të madhe në kokë e shpirt.

Që nga lashtësia, gjakmarrja, sa kalonte koha bëhej gjithnjë e më e rrezikshme për jetën normale. Edhe sanksionimi kanunor lindi gradualisht duke u bërë i njohur pas kalimit të shumë shekujve. Kanuni me shekuj nuk ka qenë i shkruar diku, por rregullat e caktuara janë mbajtur mend nga ata njerëz që caktoheshin për këtë detyrë. Sanksionet e parapara shtoheshin rast pas rasti, sa që dikur tejkaluan edhe shumë norma të jetës normale të kohës.

Vetëm në saje të edukatës familjare janë evituar shumë vëllavrasje. Aty-këtu, pikërisht mungesa e kësaj edukate ka bërë që të vriten njerëz edhe për shkaqe më banale ( për probleme tepër të vogla). Këto dëshmi tregojnë qartë mungesën e theksuar të kujdesit të shoqërisë ndaj individit dhe familjes. Organizmi i mirë i jetës shoqërore do të zbuste në masë të madhe këtë problem dhe do të mundësonte që njeriu ynë, sado kudo të bëj jetë normale.

Duke analizuar më në hollësi këtë, shohim praktikisht edhe mungesën e edukatës njerëzore në rrethe të caktuara dhe individë fort të papërgjegjshëm që në vazhdimësi merren vetëm me nxitjen e ngatërresave dhe stimulimin e tyre gjithandej ku arrijnë këta “tipa”. Ata zakonisht nuk kanë fytyrë të flasin në asnjë rast kur janë të pranishëm tre veta, por ruajnë momentin kur takojnë në rrugë apo diku tjetër ‘viktimën”, një anëtar të familjes së të vrarit. “Tipi” nisë bisedën kinse nga dhembja, duke nxitur shkallë-shkallë gjakun e të apostrofuarit dhe jo duke ia çarë hallet, as duke gjetur rrugë për zgjidhjen e atyre problemeve ekzistuese, por duke ia shtuar “oreksin” për vrasje-hakmarrje.

Ata që masa e gjerë i njeh dhe i thërret me emrin e tyre të vërtetë (shtinsa, shtënça, shtinca) dalin në skenë vetëm aty ku ju shkon fjala më shumë dhe vetëm pasi ta kenë studiuar mirë individin që mund ta nxisin deri në nivelin e vrasësit.

Me lindjen e kanunit qenë sanksionuar edhe masat ndëshkuese, madje shumë të rrepta, deri në dëbimin e vrasësit nga fshati a vendbanimi, ashtu si e gjykonin kryepleqtë e zgjedhur nga fshati apo fisi. Përshkrimi i numrit të të gjitha atyre masave që sanksiononte kanuni është i gjerë dhe kërkon kohë. Pastaj, për ta lexuar tekstin duhet gjetur edhe rrugën deri të lexuesi, ndërsa për ta zbatuar porosinë duhen njerëz të sinqertë.

Në Kanun, përveç që sanksionoheshin masat ndëshkuese për vrasësin, parashihej edhe hakmarrja dhe mënyra si duhet të vritet ai që është në gjak, dhe kush mund të vritet, e kush nuk bën të vritet nga familja e dorasit. As ky sanksionim nuk përfillej dhe kështu shkelej kanuni e pastaj pasonin masa të tjera sipas gjykimit të krye-parëve që merreshin rastësisht me rastet konkrete. Në Kanun përshkruhej deri edhe mosha, gjinia dhe pozita, madje edhe nga cila anë duhet të goditet ai që kishte vrarë dikën dhe që, po sipas kanunit, “lejohej” të vritej dhe pleqërohej si hakmarrje e kryer sipas “rregullave”.

Kur analizohen nga prizmi i sotëm gjithë këto veprime (sipas rregullave të atyre që kishin bërë kanunin), sesi duhet zënë pritën dorasit, ai që kishte “të drejtë” ta vriste, atëherë duket sikur këto masa të caktuara ndihmonin vrasjet dhe shtimin e tyre. Vetë përshkrimi i mënyrës së vrasjes duket një lloj “si leje” apo “pëlqim” publik për të vrarë dikën.

Jeta e familjes së dorasit i nënshtrohej besës që, po të respektohej, ajo nënkuptonte përfilljen me rigorozitet të aq shumë masave, sa që paralizonte jetën e familjes së gjakësuar. Edhe familja që kishte humbur një apo më shumë anëtarë, nuk ishte e lirë pas aktit mizor. Ajo familje kalonte jetë thuaja me mungesa e pengesa të njëjta me familjen e dorasit. Madje, rrethi shoqëror në vend të përpiqej të krijonte rrethana lehtësuese e të ndihmonte në rend të parë pajtimin, në më shumë raste nxirrte pengesa e masa te reja ndëshkuese. Kjo dukuri tragjike, shumë e përhapur, mund të merrte përgjigjen e merituar vetëm me metodën më të sinqertë, më burrërore e më efikase, të quajtur – pajtim.

Nga këto pozita kanë rrjedhë edhe shumë dëshmi rrëqethëse për jetën që bënin familjet e hasmëruara. Familjet që jetojnë të ballafaquara me këtë problem jo vetëm që bëjnë jetë mizërie, por rrethi vazhdon t’i anashkalojë edhe me shumë gjera të jetës normale. Ata nuk mund të shkojnë të lirë në asnjë aheng, as edhe të miqtë e deritashëm, as në shkollë, as në punë. Çdo dalje e këtyre njerëzve nga shtëpia e tyre bartë barrën e goditjes së papritur nga hasmi, në çdo hap që bën. Madje, martesat e anëtarëve të këtyre familjeve bëhen krejt të pamundshme, në rend të parë pasi çdo mik i ri eventual përton ta bëjë mik njeriun, familja e të cilit është në bela.

Për të qenë tragjedia shumë më e madhe, akoma nuk goditet vetëm vrasësi apo vetëm familja e tij, por nën besë dhe izolim po ndodhë të detyrohet i gjithë fisi.

Autori i këtij shkrimi ka pasur rast të njihet me këso dukurie në Rrethin e Lezhës në Shqipëri. Duke biseduar me një burrë të moshuar, i cili kishte plis në kokë të mbështjellë me shami të zezë. E pyeta pse kishte vendosë shaminë rreth plisit të bardhë, pasi ishte edhe muaji gusht, vapë e madhe. “E more mixhë”, u përgjigj ai, “shumica jemi me këso shamia të zeza, pasi kështu dallohemi edhe me krejt fisin që është në bela”.

Se sa e sheh shoqëria jonë këtë njeri dhe shumë si ai, është për të ardhur keq se si nuk merret një aksion mbarëkombëtar për të nxjerrë nga robëria këta njerëz që mund të vriten në çdo çast.

Pra, rrethi shoqëror shumë herë nxiste fatkeqin për hakmarrje, në vend që të përpiqej për pajtimin e tij. Këto nxitje shkonin deri në atë masë sa i dëmtuari e ruante dorasin me ditë e besa edhe vite për të goditur, dhe kështu edhe vetë bënte jetë “kaçaku” pa menduar diçka më mirë sesa vrasjen e hasmit.

Kishte raste kur dikush që bënte këso “roje”, kishte parë familjen e dorasit në aso gjendje të mjerë jete sa që e kishte thirr me zë, me emër dhe ia kishte falë gjakun pa ftuar asnjë njeri aty ku i kishte dal në pritë. Kjo dëshmon se edhe hasmi më i përbetuar, kur sheh kushtet konkrete të jetës që bëjnë “të ngujuarit” në besë (e shumë herë hasmi nuk jep besë), atëherë gjithçka e errët duket sheshazi. Ai njeriu që ia kishte zënë priten “hasmit” kishte zbrazë pushkën në ajër, ishte kthyer në familjen e tij dhe pastaj i kishte treguar familjes sesi ia ka falur gjakun “hasmit”. Ata që merren me këtë të ligë nuk i zënë në gojë këto raste nëse nuk janë të sinqertë.

Vetëm ata njerëz që janë të sinqertë kanë sukses në fushën e pajtimit. Ka shumë njerëz që marrin ryshfet dhe ata kurrë nuk e zgjidhin problemin siç mendohet. Kjo zakonisht bëhet fshehtazi, por edhe diktohet lehtë pasi plaga nuk shërohet ashtu si duhet dhe mbetet me rrezik. Në jo pak raste vetëm për të nxjerrë besë për dorasin, për dy javë a një muaj, disa “tipa” kanë marrë mijëra euro a dollarë.

Në vazhdimësi, besa shkelej, dhe kështu ata që kishin marr mbi vete të pleqërojnë rastet që kishin ndodhur, në të shumtën e rasteve, kur dikush merrte gjakun, shkelte të gjitha ato norma kanunore dhe vrasja e ndodhur nuk mbyllej dot me një për një të vrarë, kështu që gjakmarrja po merrte përmasa që nuk mbylleshin dot me kurrfarë kanuni. Vetëm kur një burrë kishte vrarë një burrë tjetër, analizohej shkaku dhe vlerësohej sipas pleqnarëve pesha e vrasjes, për të caktuar pastaj rregulla e sanksione ndëshkuese për çdo rast veç e veç. Rrallë kishte ndodhur që një vrasje (e gjykuar si gjak për gjak ishte mbyllur me sukses).

Sipas këtyre “rregullave” të kanunit, “për të vrarë”, tepër rrallë kishte ndodhur që të vritet dorasi. Zakonisht vriteshin njerëz që nuk kishin asnjë lidhje më kohën dhe shkakun kur kishte ndodhë vrasja, por që ishin anëtarë të familjeve përkatëse.

Rrjedha e kësaj fatkeqësie të madhe kombëtare nuk u ndërpre asnjëherë me asnjë masë që njohim deri sot. Ai që vriste, zakonisht është vrarë nga një anëtarë i familjes së të vrarit, pasi i vrari nuk hakmerrej dot. Kështu, thjeshtë krijohej një vrasës i ri, që në të shumtën e rasteve nuk kishte asnjë parakusht që të bëhej vrasës. Këtë njeri që duhej të merrte hakun e bënte vrasës kanuni dhe rrethi me rregullat e tyre dhe ashtu nxisnin të dëmtuarin që të rrokë armën edhe kur nuk kishte as vullnet as “zëmër” për këtë akt.

Pajtimi nuk ngjallë të vrarët, por i bënë më të fortë e më trima të gjallët dhe atyre iu siguron jetë normale, pa prita e pa frikë nga vdekja e paralajmëruar. Pajtimi liron nga burgu më i tmerrshëm, siç është jeta nën besë apo pa besë fare, të aq shumë njerëzve që janë më të dënuar se ata që janë në burgje reale. Pajtimi liron dhe realisht kthen jetën normale për shumë më tepër njerëz të gjallë se numri i të vrarëve.

Po të analizohet më mirë, rrënjët e kësaj tragjedie, ajo mund të ndërpritet vetëm me shkollim, arsimim dhe edukim të duhur. Nuk ka edhe një problem që nuk mund të zgjidhet me pajtim. Për ta bërë të harruar këtë temë, shkollimi i brezave duhet të ndryshojë në tërësi.

Në trend

Më shumë
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Drejtësi
Kalo në kategori