ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Nevojat për specialistë të Onkologjisë Radiologjike mbeten të mëdha dhe Klinika e Onkologjisë ka kërkuar vazhdimisht rritjen e numrit të specializantëve.

Telegrafi ka mësuar nga burime se Klinika e Onkologjisë ka kërkuar vazhdimisht nga Ministria e Shëndetësisë rritjen e numrit të specializantëve në Radioterapi, duke argumentuar se shërbimi ka nevojë për staf shtesë për shkak të zgjerimit të kapaciteteve dhe metodave moderne të trajtimit.


Në një kërkesë të dërguar në qershor 2024, klinika kishte argumentuar se në tetë vitet e fundit ishin hapur vetëm dy vende për specializim në këtë fushë, ndonëse nevojat e shërbimit ishin rritur dhe rekomandimi për hapjen e vendeve të reja ishte miratuar edhe nga Komiteti Specialistik përkatës.

Ndërkohë, në një kërkesë tjetër të dërguar në nëntor 2025, Klinika e Onkologjisë përsëriti kërkesën për shtimin e vendeve për specializim në Radioterapi, duke theksuar se në konkursin e vitit 2024 ishin miratuar vetëm dy vende, megjithëse klinika kishte kërkuar shtatë.

Klinika rikujtonte se që nga viti 2011 nuk kishte pasur specializantë të rinj në Radioterapi, me përjashtim të një rasti të transferimit nga një fushë tjetër, ndërsa theksonte se dorëheqja e një specialisteje dhe pensionimi i afërt i një tjetre kishin ulur më tej kapacitetet njerëzore të shërbimit, shkruan Telegrafi.

Klinika argumentonte se gjatë viteve të fundit janë vënë në funksion shërbime dhe teknologji të reja, përfshirë Brakiterapinë (2021), metodën moderne IMRT (2021), teknikën SRT (2024), si dhe se deri në fund të vitit 2025 pritet funksionalizimi i përshpejtuesit të ri linear. Sipas klinikës, këto zhvillime kërkojnë personel shtesë të specializuar për të garantuar ofrimin e trajtimeve sipas standardeve bashkëkohore.

Lidhur me këtë çështje Telegrafi ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, ku kjo e fundit përmes Komiteti për Shkollim Specialistik, i tha mediumit tonë se gjatë tri konkurseve të fundit janë hapur gjithsej tre vende për Klinikën e Onkologjisë, prej tyre dy në Onkologji Radiologjike dhe një në Onkologji Mjekësore.

Sipas ministrisë, konkursi i ri është në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe pritet të publikohet brenda dy muajve, ndërsa në të janë paralajmëruar edhe vende të reja për specializim në Onkologji Radiologjike.

"Bordi aktual ka menaxhuar tre konkurse publike. Deficitet emergjente janë trajtuar së pari, si Anesteziologjia, Mjekësia Emergjente, Transfuziologjia, lëmitë e shëndetit publik, lëmitë e ndryshme në spitalet rajonale dhe lëmi të tjera. Në këto tri konkurse janë shpallur tri vende për Klinikën e Onkologjisë, në lëminë Onkologji Radiologjike dy vende dhe në lëminë Onkologji Mjekësore një vend. Aktualisht jemi në fazën përfundimtare të përgatitjes së konkursit të ri, ku do të përfshihen lëmi të ndryshme, duke përfshirë edhe lëminë Onkologji Radiologjike", thuhet në përgjigjen e Komitetit për Shkollim Specialistik.

Lidhur me kërkesat e Klinikës së Onkologjisë për rritjen e numrit të specializantëve,ky komitet thotë se ato shqyrtohen nga Bordi për Shkollim Specialistik.

"BShS shqyrton kërkesat e institucioneve relevante, në këtë rast Klinikës së Onkologjisë. Sipas të dhënave nga drejtori i klinikës, në lëminë Onkologji Mjekësore janë 13 mjekë, ndërsa brenda pesë viteve do të jenë në dispozicion 18 mjekë. Në anën tjetër, në lëminë Onkologji Radiologjike janë pesë mjekë, ndërsa brenda pesë viteve do të jenë në dispozicion shtatë mjekë, që tregon për rritje të numrit të këtyre specialistëve në dispozicion", thuhet më tej.

Në pyetjen se sa vende do të hapen gjatë këtij viti për specializim në Onkologji Radiologjike, Komiteti nuk ka dhënë një numër konkret, duke theksuar se procesi është ende në përgatitje.

"BShS është në proces të përgatitjes së konkursit", thuhet në përgjigje.

Ndërkaq, për afatin e publikimit të konkursit, është shprehur se "konkursi është në fazën e përgatitjeve, ndërsa pritjet janë që ai të dalë brenda dy muajsh".

Sa i përket vlerësimit nëse numri aktual i specialistëve është i mjaftueshëm për t'iu përgjigjur nevojave të pacientëve onkologjikë, Komiteti për Shkollim Specialistik thekson se prioritet në vitet e fundit kanë qenë mungesat më të theksuara në shumë lëmi.

"Mungesat e trashëguara në shumë lëmi kanë qenë prioritet në tre vitet e fundit. Shumë nga këto mungesa janë zbutur ose reduktuar në zero, siç është rasti me Anesteziologjinë. BShS e ka për obligim t'i mbulojë këto mungesa gjithmonë duke pasur parasysh edhe tavanin e buxhetit të ndarë për shkollim specialistik. Në këtë kontekst, në lëminë Onkologji Radiologjike veçse kemi hapur vende, ndërsa në konkursin e radhës pritet të dalin vende të reja", thuhet në përgjigjen e Komitetit për Shkollim Specialistik /Telegrafi/