Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, onkologja Dafina Ademi-Islami foli gjerësisht për rëndësinë e depistimit të hershëm të kancerit të gjirit, duke theksuar domosdoshmërinë e kontrolleve të rregullta – veçanërisht për gratë që vijnë nga familje me histori të kësaj sëmundjeje.

Sipas Ademi-Islamit, ekzaminimi klinik i bërë nga mjeku mbetet hapi bazë dhe i pazëvendësueshëm në zbulimin e hershëm.


Ajo tha se për gratë dhe vajzat që kanë raste të afërta të kancerit të gjirit në familje, kontrollet duhet të fillojnë shumë më herët sesa rekomandimet standarde.

“Ekzaminimi klinik prej anës së mjekut është shumë i rëndësishëm, mirëpo duhet pasur parasysh për gratë që në familjet e tyre kanë të prekura me kancer të gjirit, vajzat – gratë. Nëse e shohim që kemi nënën, tezen, hallën, të afërmit e parë të linjës së dytë të prekur me kancer të gjirit kjo duhet me qenë një shenjë që duhet të fillojmë kontrollet më herët”, theksoi ajo.

Më tej, Ademi-Islami sqaroi se rekomandimet e viteve të fundit kanë ndryshuar.

“Përpara kemi thënë 5 vite më herët, por edhe nëse fillojmë 10 vite më herët është më mirë. D.m.th. 10 vite më herët para se gruaja me moshën më të re të diagnostikuar në familje është diagnostikuar. Nëse dikush ka qenë mosha më e re 40 vjeç, atëherë ju duhet të lajmëroheni qysh në moshën 30-vjeçare për ekzaminime”.

Ajo shtoi se nuk ka kufizime në llojet e ekzaminimeve që mund të kryhen në këto raste të rrezikut të shtuar.



“Gratë mund t’i nënshtrohen mamografisë, incizimeve të ndryshme apo edhe rezonancës së gjinjve”, tha ajo.

Një nga pikëpamjet e gabuara më të përhapura, sipas onkologes, është perceptimi se kanceri i gjirit është plotësisht trashëgues.

Ajo theksoi: “10 deri 15 për qind është sëmundje trashëguese. Ngase njerëzit mendojnë që kjo është kryekëput trashëguese, por kjo nuk qëndron”.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com