LAJMI I FUNDIT:

Veseli: Të nisim një epokë të re suksesi në Kosovë

Veseli: Të nisim një epokë të re suksesi në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë në Konferencën e donatorëve ndërkombëtarë për bujqësi, e cila po mbahet sot në Prishtinë, se në kushtet e paqes e të lirisë, puna më e dobishme që mund të bëjnë politikanët e një vendi është të merren me ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të vet, nëpërmjet forcimit ekonomik.

“Politikanët dhe politika në Kosovë po vazhdojnë fokusin më tepër në çështje të interesit te tyre-luftës për pushtet, sesa interesin e qytetarëve për jetë më të mirë. Kjo ka pasur pasoja të dëmshme për vendin, sepse politika dhe politikanet në vend se të merren me problemet reale të qytetarëve, politika është kthyer në një barrë të rëndë për qytetarët me problemet e shkaktuara prej vet asaj dhe atyre. Sot në Kosovë, politika është shkëputur nga qytetarët”, theksoi Veseli, duke shtuar se kjo situatë duhet të ndryshojë urgjentisht.

Veseli shtoi se njerëzit që jetojnë nga djersa e tyre, që sot prodhojnë të mira materiale dhe punësojnë njerëz, janë heronjtë e vërtetë të lirisë sonë.

“Kjo dhe këta njerëz do të jenë politika ime. Kjo është arsyeja pse insistoj në një politikë që ka në epiqendër të saj zhvillimin ekonomik, 24 orë në ditë, 365 ditë të vitit”, tha Veseli. Kreu i Kuvendit të Kosovës shtoi njerëzit janë lodhur nga platformat politike – produkte të kabineteve të mbyllura, prandaj, ai tha se ka zgjedhur bashkëbisedimin e drejtpërdrejtë me ta, për t’i dhënë një orientim të ri vendit dhe ekonomisë.

“Njerëzit tanë të thjeshtë dhe punëtorë kanë ide të mrekullueshme dhe këto ide do të jenë baza e platformës sime politike. Qeverisja e mirë është për qytetarët dhe duke qenë e tillë ajo duhet të fillojë nga qytetarët. Modeli aktual që është në fuqi për të përballuar këtë sfidë është i gabuar: në vend se të angazhohemi në forcimin e sektorit privat, ka një prirje për të zgjeruar sektorin publik, duke fryrë administratën publike, pra sektorin shpenzues, duke rritur importet dhe zvogëluar prodhimin”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai tha se Kosova duhet të orientohet në politika stimuluese vendore për prodhim dhe eksport, dhe dekurajuese për import, duke zbatuar tërë rregullat e ekonomisë së lirë të tregut.

“Dhe kjo do të ndodhe në Kosovë, kjo do të jetë politika ime. Një Kosovë e trasformuar, nga ekonomia tregtare, në ekonominë prodhuese, nga modeli ku punëdhënësi kryesor është shteti, në modelin ku punëdhënësi kryesor është sektori privat, nga bujqësia e fermerëve të vegjël që mbijetojnë me subvencione, në agrobisnesin e madh që mbulon tregun e brendshëm dhe ka fuqi eksportuese. Sipërmarrësit tanë, fermerët tanë do të çlirohen nga barra e tepërt e fiskale që pengon rritjen e bizneseve të tyre”, tha kreu i legjislativit të vendit.

Ai tha se do të përkrahen ata që hapin vende të reja të punës, duke i stimuluar dhe suportuar financiarisht.

“Ne kemi gjithë potencialin e nevojshëm për të nisur një epokë të re suksesi në Kosovë. Një fillim të ri,me të cilin do të ndihen krenare gjeneratat e ardhshme që do ta trashëgojnë këtë tokë të bekuar dhe veprën më madhështore të popullit të saj- Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës”, theksoi kryetari Veseli.