Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli raportin e auditimit të institucionit që ai e drejton.

Gërxhaliu pas takimit me kryetarin Veseli tha se raporti i auditimit për vitin 2017, është pa asnjë të gjetur negative dhe se ky do të jetë një motiv shtesë, që të kuptohet rëndësia e sundimit të rendit dhe ligjit.

“Jemi këtu që t’ia dorëzojmë kryetarit të parlamentit, institucionit më të lartë në Kosovë, raportin e auditorit për vitin 2017, 2016 dhe për 2015. E kemi bërë këtë bazuar në faktin që ky institucion, ose Parlamenti i republikës së Kosovës, në tri vitet e fundit bazuar në të gjeturat e auditorit të përgjithshëm, ka qenë një nder institucionet më transparente. Që vërtet i jep vulë demokracisë, bazuar në transparencë dhe në kujdes se si të shpenzohet dhe menaxhohet paraja publike”, tha ai.

Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se institucionet duhet të jenë syçelë sa i përket shpenzimit të parasë publike, ndërsa raportin e auditimit të OEK e vlerësoi të shkëlqyeshëm dhe shembull të transparencës si duhet shpenzuar paraja.

“Sa i përket raportit të auditorit është një shembull i mirë. Jam shumë i lumtur për arsye se OEK e ka lidhshmërinë me Kuvendin nga baza legjislative. Por në të njëjtën kohë duhet ta konstatoj këtë fakt. Kuvendi i Republikës së Kosovës, po ashtu është kampion në auditimet në të cilat ndodhin gjithë këto vite. Unë e përgëzoj Kuvendin e republikës së Kosovës, për punën që e bënë në mënyrë të jashtëzakonshme dhe transparente. Po flas e ka një vazhdimësi. Nuk ishte ideja ta them vetëm çështjen e mandatit tim si kryetar i Kuvendit, por kuvendi i Kosovës e ka një vazhdimësi. Unë si kryetar i Kuvendit, vetëm e kam thelluar procesin e transparencës dhe llogaridhënies para qytetarëve tanë. Ky duhet të jetë shembull në të gjitha institucionet që duhet të përcillet ”, tha Veseli. /Telegrafi/