LAJMI I FUNDIT:

Veseli hedh akuza ndaj koalicionit qeverisës, thotë se PDK do ta mbështesë mocionin për rrëzimin e Qeverisë

Veseli hedh akuza ndaj koalicionit qeverisës, thotë se PDK do ta mbështesë mocionin për rrëzimin e Qeverisë

Partia Demokratike e Kosovës e përkrah mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, megjithatë kjo parti nuk do të jetë pjesë e asnjë skenari të partive politike. Albin Kurti u ka ikur përgjegjësive që ka, dhe i ka vulosur vetes fatin politik.

Kështu ka deklaruar në një konferencë për media të mbajtur sot, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.


Sipas tij, ajo që po ndodh tani mes partnerëve të koalicionit qeverisës është papërgjegjësi totale dhe vetë dorëzim i kryeministrit. Lideri i opozitës tha se kjo po ndodh pikërisht në kohën kur do të duhej të punonte për unitet e bashkëpunim, e jo për përçarje e ndasi. Me këtë sipas Veselit, kryeministri aktual po e vulos fatin e tij politik për kryeministrin.

“Nuk e di se çfarë qeverie do të mund të jetë më e dëmshme se kjo aktualja për ve ndin, por i siguroj qytetarët dhe votuesit e PDK-së se ne nuk do të jemi pjesë e asnjë kalkulimi që është i reduktuar te pushteti… PDK është lidere e opozitës politike dhe do t’i nënshtrohet vetëm kërkesave që janë në interes të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Vendimet dhe veprimet tona do të jenë në pajtim me kërkesat dhe nevojat qytetare, shtetërore dhe kombëtare. Si opozitë, në parim, ne e mbështesim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, por kjo s’do të thotë se ne do të ndryshojmë kursin dhe statusin aktual politik. Në rrethana normale, do të kërkonim zgjedhje të parakohshme. Por, me pandeminë këtu, e dimë se kjo është e pamundur aktualisht”, deklaron Veseli.

Këtë krizë politike, Veseli siguroi se nuk e ka shkaktuar Partia Demokratike e Kosovës, e as vetë ai.

“Me të drejtë, qytetarët po irritohen nga politika në Kosovë. Shembulli që argumenton këtë janë veprimet e fundit të partnerëve të këtij koalicioni qeverisës. Në kohën e një ankthi kolektiv të ballafaqimit me pandeminë, kur familjet tona janë të shqetësuara për fatin e secilit, të humbet arsyeja dhe të krijohet krizë për hesape personale dhe partiake, është më tepër se papërgjegjësi institucionale. Është mungesë elementare e përgjegjësisë humane. Ndërsa, fajësimet e ndërsjella, për përfitime politike, në këto rrethana të rënda, janë dyfishim i krizës, që qytetarët s’ua kanë borxh. Është dëm nacional. Faji dhe përgjegjësia është krejtësisht vetëm e këtij koalicioni qeverisës. Partia Demokratike e Kosovës, dhe as unë, as nuk e kemi ndihmuar dhe as nuk e kemi shkaktuar, me asnjë veprim, këtë situatë”, tha ai.

Ai u zotua se nuk janë pjesë e një skenari të tillë, për çka ka përmendur edhe ditën e zgjedhjeve, kur e ka shpallur opozitën pas mbylljes së votimeve, pra opozitë për katër vjet. Në kohën kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19, ai deklaroi se lufta politike u bë agjendë primare, ne vend të luftës kundër armikut të përbashkët, virusit që po e sulmon njerëzimin.

“Kritikat e mia kanë pasur për qëllim sinjalizimin e qartë për rrezikun që po i vinte Kosovës nga mënyra e trajtimit të aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Kryeministrit aktual. Në kohën më të ndjeshme për Kosovën, Qeveria në vend se të rimëkëmbte marrëdhëniet e lënduara me SHBA-të, ajo përkundrazi nxiti dhe orkestroi një frymë anti-amerikane përmes neglizhimit të qëllimshëm të rekomandimeve amerikane dhe përmes diskursit kundërshtues e përçarës ndaj SHBA-ve, përmes militantëve partiakë. Kryeministri është dashur të mos fliste fare për këtë çështje, por të vepronte. Ka mundur mir ë dhe lehtë ta bënte këtë, për interes shtetëror dhe kombëtar, pa pasur nevojë të godasë secilin që i del përpara”, shtoi ai.

Në këtë kohë të pasigurisë, të shkaktuar nga lojërat e partnerëve të koalicionit qeverisës, siç e quajti ai, Veseli ka ftuar qytetarët që të ndjehen të sigurt në shtëpitë dhe në shtetin e tyre./Telegrafi/