Mësimdhënësi Muhamed Hajredinaj, i akuzuar për nxitje të përçarjes dhe urrejtjes, ka dhënë versionin e tij lidhur me pretendimin se kishte hedhur flamurin kombëtar shqiptar dhe plisin në shportë të bërllokut.

Hajredinaj ka treguar se më 27.11.2024 kishte shkuar si çdo ditë tjetër në shkollë për të dhënë mësim, duke e ditur se orari atë ditë ishte me orar të shkurtuar pasi pritej organizim i festës së flamurit.


Tutje i akuzuari ka treguar se me të hyrë në klasë duke kryer përgatitjet që të filloj ora mësimore kishte vërejtur se disa prej nxënëse nuk kishin nxjerrë librat për të filluar mësimin.

Sipas versionit të Hajredinajt, është ngritur në këmbë dhe ka parë se një nxënës dhe një nxënëse nuk kishin të veshur uniformat e shkollës dhe ju ka bërë me dije që të vendosnin uniformat.

Tutje, njëri nxënës e kishte përfillur urdhrin e mësuesit, kurse sipas të akuzuarit, nxënësja e cila kishte qenë e mbështjellë me flamur nuk e kishte dëgjuar.

Largimin nga ora mësimore Hajredinaj, para gjykatës tha, se e kishte bërë që ta kursej nxënësen nga shënimi në vërejtje.

“Kur i kam thënë që të dal vajza, e kurseva nga vërejtja dhe kur ka fillu me dalë ka fillu me shpejtësi, jo në mënyrë të rregullt qysh mundet me dalë një nxënëse me mirësjellje. Dy nxënës me shenjë revolte kanë dalë, me shpejtësi dhe ma kanë vënë flamurin në kokë. Ka qenë aj djali që fillimisht e hoqi flamurin dhe një nxënës i cili nuk me kujtohet cili ka qenë, sepse kam qenë i ulur duke shkruar orën”- dha versionin e mbrojtjes i akuzuari.

Sipas tij, nuk kanë shkuar më shumë se 2 minuta kur ka ardhë zëvendës-drejtori i shkollës i cili sapo kishte hyrë në klasë nuk e kishte pyetur fare tashmë të akuzuarin për ndodhinë, por kishte filluar të ju mbaj fjalim nxënësve, e që sipas tij po i nxiste.

Sipas versionit të akuzuarit, nxënësit, ja kishin hedhur plisin në tokë të cilin e kishte larguar që kishte shkuar kah ana e shportës.

“Nxënësit ma kanë hedhë në tokë e kam largu dhe ka shkuar ka ana e shportës” – tha tutje i akuzuari.

Sipas tij, ajo çka ka ndodhë, ka ndodhur pa paramendim apo qëllim të caktuar, e aq më pak për qëllime fetare. I akuzuari ka thënë se feja e tij nuk e mëson që të bëjë diçka të tillë.

Paraprakisht seanca gjyqësore ka vazhduar me administrimin e provave materiale.

Pasi Prokuroria Speciale është tërhequr nga propozimi që të dëgjohet i mituri- nxënësi, ndërsa Gjykata në përbërje prej kryetarit të trupit gjykues, Leon Përlaskës, Violeta Namani dhe Avni Syla – anëtarë, i kanë refuzuar mbrojtësit së të akuzuarit propozimin për dëgjimin e disa dëshmitarëve.

Më të filluar seanca gjyqësore më 30.01.2026 është dëgjuar në cilësinë e dëshmitares Margareta Shabani.

Margareta Shabani, për mosardhjen e saj në seancë më 15.12.2025 për të dëshmuar, Gjykata i kishte shqiptuar gjobën e dytë në lartësi prej 100 euro si dhe u urdhërua sjellja me forcë për në seancën e radhës. Në seancën e datës 14.11.2025 dëshmitarja Margareta Shabani për mosardhjen e saj në seancë për të dëshmuar ishte gjobitur me 50 euro si dhe i kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.

Dëshmitarja në seancën e datës 30.10.2026 ka thënë se ajo e kishte organizuar festën e flamurit në këtë shkollë, si mësuese e muzikës, më 27.11.2024.

“Dita e flamurit ka qenë në një ditë prej festive dhe e kemi festuar me një program të shkurtë ku ka pasë muzikë, art dhe drama të ndryshme”- tha dëshmitarja.

Dëshmitarja ka thënë se e kishte parë momentin 5 minutësh, kur tashmë i akuzuari, ja kishte kap plisin një nxënësi dhe e kishte përplasur te koshi i mbeturinave duke e shoqëruar me fjalët “është e ndaluar në shkollë”.

“Por e kam pa momentin kur arsimtari ja ka kapë plisin nxënësit dhe e ka përplasë në drejtim të koshit të mbeturinave”- tha dëshmitarja.

Ajo tha se këtë moment e kishte parë teksa priste arsimtarin e gjuhës angleze që të dalë nga klasa me qëllim që të ndjek orën e muzikës e cila ishte planifikuar sipas orarit.

Sipas dëshmitares, tashmë i akuzuari e kishte kapur edhe një flamur dhe kishte tentuar që ta gjuante në shportë, por e kishin ndaluar nxënësit.

“E kam pa arsimtarin duke e kap flamurin dhe duke tentuar që ta gjuaj, ndërsa nxënësit e kanë ndaluar, nuk e di a ka qenë plis apo flamur mirëpo nxënësit e kanë kundërshtuar një veprim të tillë”- tha dëshmitarja.

Fjala përfundimtare rreth këtij rasti do të mbahet më 9 shkurt 2026.

Gjykimi për këtë rast ka filluar rishtazi pasi ka pasur ndryshime të anëtarëve të trupit gjykues në këtë çështje penale.

Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga Leon Përlaska (kryetar i trupit gjykues), Violeta Namani-Hajra dhe Avni Syla (anëtarë).

Gjykata e Prishtinës e ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj të akuzuarit Muhamed Hajredinaj, i akuzuar për veprën penale – nxitja e përçarjes dhe mosdurimit.

Shqyrtimi fillestar lidhur më këtë rast është mbajtur më 12.05.2025.

Në seancën fillestare, i akuzuari Hajredinaj kishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale të cilën po akuzohet nga Prokuroria Speciale.

“Nuk ndihem fajtor” – kishte thënë i akuzuari Hajredinaj.

Dosja e Prokurorisë

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 27.11.2024, rreth orës 08:00, në objektin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, i pandehuri Hajredinaj duke vepruar në cilësinë zyrtare si arsimtar i Gjuhës angleze, me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve kombëtare, etnike dhe fetare në Kosovë ka ndërmarrë veprime konkrete.

Në aktakuzë thuhet se sapo ka hyrë në klasën 6/4 dhe i përballur me pamjen e nxënësve me simbole kombëtare shqiptare me rastin e festës së flamurit kombëtar shqiptar, i pandehuri për shkak të bindjeve të tij fetare, të cilat i ka shprehur edhe më parë në prani të nxënësve ka marrë flamurin kuq e zi dhe plisin dhe me gjithë kundërshtimet e nxënësve i ka hedhur ato në shportën e mbeturinave.

Tutje në aktakuzë thuhet se ai e ka larguar nga ora mësimore një nxënëse, e cila i mbante këto simbole kombëtare, me qëllim të pjesëmarrjes në programin festiv të organizuar nga Shkolla për Ditën e Flamurit – për çka- me këto veprime të kryera publikisht ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare.

Për shkak të veprimeve të lartpërmendura i pandehuri Hajredinaj nga Prokuroria Speciale po akuzohet se ka kryer veprën penale – nxitja e përçarjes dhe mosdurimit./Kallxo.com