LAJMI I FUNDIT:

Vera përmirëson shpejt nivelet e kolesterolit

Vera përmirëson shpejt nivelet e kolesterolit

Rexhep Kryeziu, ekspert i verëtarisë, Zvicër
Dr. Avni Kryeziu, Internist-reumatolog, QKUK, Prishtinë

Sipas një studimi francez që u botua në revistën Molecular Nutrition and Food Research, konsumimi i moderuar e verës së kuqe, përmirëson nivelin e kolesterolit dhe rrit rrjedhshmërinë e membranës së qelizave të kuqe të gjakut te njerëzit që kanë pasur ndërhyrje kirurgjike si pasojë e infarktit në zemër.


Efektet mbrojtëse kardiovaskulare të konsumit të rregullt dhe të moderuar të verës në parandalimin parësor, janë demonstruar mirë, ndërsa ky studim hulumtoi efektet e verës së kuqe në parametrat e gjakut (lipidet, kapaciteti antioksidues, rrjedhshmëria e membranës në qelizat e kuqe të gjakut) nga një perspektivë e parandalimit dytësorë.

Studimi 3-javor, i udhëhequr nga profesori Norbert Latruffe dhe kolegët e tij nga Qendra Kërkimore Inserm në Universitetin e Burgundy të Francës, u realizua në një qendër spitalore me 29 pacientë që kishin pësuar një atak në zemër, të cilët ishin në rehabilitim kardiak. Gjatë kësaj periudhe, ata morën një dietë (pije dhe ushqim) me receta mesdhetare. Për dy javë, gjysma e tyre mori një gotë verë të kuqe për çdo vakt (250 ml/ verë në ditë) dhe gjysma tjetër mori vetëm ujë. Vera e kuqe çoi në një ulje të kolesterolit me densitet te ulë (LDL), i njohur si kolesteroli i keq, me 18% krahasuar me një ulje prej 5% për grupin që pinte vetëm ujë. Gjithashtu u pa një rritje të antioksidantëve dhe një përmirësim në rrjedhshmërinë e membranës së qelizave të kuqe të gjakut te grupi i pacientëve që konsumonin verë.

Një studim i botuar në vitin 2009 sugjeroi se konsumimi i moderuar i alkoolit që ishte pjesë e dietës te popullata e mesdheut, lidhej fort me jetëgjatësinë e tyre.

Në anën tjetër gjermani Arthur Wirtzfeld shkruan: Përveç shumëllojshmërisë së madhe të shijes dhe aromës komplekse të një vere, ne shijojmë edhe aspektet shëndetësore dhe anët shëruese të saj. Sigurisht, vera përmban alkool dhe duhet konsumuar gjithmonë me masë. Megjithatë, konsumimi i rregullt dhe mbi të gjitha i moderuar i verës, rekomandohet për të rriturit e shëndetshëm.

Vera është pjesë e dietës te banorët e vendeve mesdhetare, e cila është, pa mëdyshje, e shëndetshme dhe e rekomanduar botërisht. Tani shtrohet pyetja, a jemi dhe ne shqiptarët e Mesdheut të gatshëm, po aq sa dhe francezët, italianët, e popuj tjerë, që të kemi verën mbi tryezat tona, si pije qejfi dhe shëndeti? Shëndeti dhe një jetë e gjatë, pavarësisht një diete të pasur me yndyra, përshkruan edhe “paradoksin francez”. Frutat, perimet, vaji i ullirit dhe disa gota verë të kuqe në ditë, përmbajnë shumë substanca bioaktive, në formën e polifenoleve bimore, të cilat në përgjithësi klasifikohen si tanate ose tanine.

Ka studime të shumta dhe të besueshme që flasin për përmirësimin e punës së zemrës dhe qarkullimit të gjakut dhe si rrjedhojë, zgjatjen së jetës si efekt i konsumimit të e verës. Shkalla e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru është dukshëm më e ulët tek ata që konsumojnë verë.

Gjatë disa hulumtimeve që u bënë në Universitetin e Këlnit, u argumentua se vera stimulon punën e veshkave dhe gjëndrat tiroide. Duket gjithashtu se sëmundjet malinje, ato mentale dhe sëmundjet e veshkave janë më pak të zakonshme tek ata që konsumojnë verë.

Pa përjashtim, krahas verërave të kuqe, edhe verërat e bardha janë po aq efektive, me ndikim shërues dhe preventiv kundër rritjes së kolesterolit në gjak.

Efekti pozitiv i verës në shëndet është kombinimi i alkoolit me përbërës të tjerë siç janë ekstraktet e shumta që gjenden në të. Shumë adhurues të verës besojnë se përfitimet shëndetësore merren vetëm nga konsumimi e verës së kuqe, por tani ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë se konsumimi i moderuar i verës së bardhë është po aq i shëndetshëm.

Por, me gjithë këto efekte pozitive, nuk duhet të supozohet aspak se konsumimi i rregullt i verës ka vetëm një efekt pozitiv në shëndet. Gjithnjë duhet marrë parasysh sasinë e lejuar dhe të rekomanduar brenda ditës. Sasia prej 0,2 litra (200ml) verë në ditë për femrat dhe 0,3 litra (300ml) për meshkujt, konsiderohen të shëndetshme dhe të padëmshme.

Cila është lidhja mes verës dhe kolesterolit?

Lidhja mes konsumimit të verës dhe kolesterolit bazohet në dy antioksidantë dhe një përbërës bimor që gjendet tek rrushi. Vera dhe kolesteroli kanë qenë fokusi i disa projekteve kërkimore për të përcaktuar nëse vera mund të ulë natyrshëm nivelet e kolesterolit në gjak. Disa prova tregojnë se vera, nëse konsumohet rregullisht, veçanërisht vera e kuqe, mund të ulë nivelet e kolesterolit të dëmshëm.

Saponinat janë përbërës me bazë glukoze që gjenden në shtresën e dyllit të lëvores të rrushit. Verërat me lëvore të paprekur, ruajnë saponinat, të cilat pastaj lidhen me kolesterolin duke e pamundësuar përthithjen e tij. Një gotë verë e kuqe, siguron rreth gjysmën e dozës së rekomanduar ditore të saponinave, të cilat gjenden gjithashtu në vajin e ullirit dhe farat e sojës.

Resveratroli është një kimikat natyral që gjendet në rrush dhe që lufton kërpudhat në zonat e lagështa të rritjes. Sasia e resveratrolit në verë ndryshon varësisht nga varieteti u rrushit, vendi ku kultivohet si dhe nga procesi i prodhimit të verës. Teknikat e prodhimit të verës që përdorin filtra për të reduktuar hidhësirën e saj, humbin pjesën më të madhe të resveratrolit. Lëvoret hiqen për të tharmuar në perfitim të verës së bardhë, duke hequr pjesën më të madhe të resveratrolit.

Studimet tregojnë se resveratroli bllokon oksidimin e kolesterolit dhe mund të jetë po aq efektiv sa saponinat në reduktimin e kolesterolit të keq. Resveratroli gjithashtu parandalon mpiksjen e trombociteve në gjak dhe mund të rrisë nivelin e lipoproteinës me densitet të lartë (HDL), e cila konsiderohet si kolesterol i mirë.

Flavonoidet paraqesin antioksidantin e dytë të studiuar në studimet e verës dhe kolesterolit. Ato veprojnë si resveratroli në parandalimin e oksidimit të kolesterolit të keq. Mollët, lëngu i rrushit dhe çaji jeshil gjithashtu përmbajnë flavonoide dhe resveratrol në sasi të ndryshme.

Pasi u shfaq lidhja midis konsumit të verës dhe kolesterolit në gjak, shkencëtarët kryen eksperimente për të zbuluar se cilat verëra përmbanin nivelet më të larta të kimikateve. Ata zbuluan se rrushi Pinot Noir i rritur në rajone të lagështa dhe të freskëta në Francë, përmbante më shumë resveratrol, ndoshta sepse rrushi në atë klimë është më i prirur ndaj kalbjes.

Një studim i ngjashëm i verërave amerikane zbuloi nivelet më të larta te lloji Zinfandeli i kuq. Përqendrimi i antioksidantit mund të ndryshojë çdo vit në varësi të kushteve të motit. Këto studime zbuluan gjithashtu se nivelet e resveratrolit ulen brenda 24 orëve nga hapja e shishes së verës.

Shumica e specialistëve të zemrës dekurajojnë konsumimin e tepërt të alkoolit për të përmirësuar shëndetin dhe rekomandojnë kufizimin e konsumit të alkoolit në një porcion në ditë. Ata shpesh sugjerojnë përdorimin e ushtrimeve, dietës dhe ilaçeve për të ulur nivelet e kolesterolit të dëmshëm. Suplementet e niacinës dhe aspirina mund të ofrojnë të njëjtat përfitime antikoagulante si resveratroli. /Telegrafi/