LAJMI I FUNDIT:

Venko Filipçe: Duhanpirësit janë më të rrezikuar nga Covid-19

Venko Filipçe: Duhanpirësit janë më të rrezikuar nga Covid-19

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, thotë se duhanpirësit janë më të rrezikuar nga coronavirusi.

Ai në rrjetin social Facebook ka shpërndarë një mesazh, në lidhje me duhanpirësit dhe kërkon që të jenë të kujdesshëm, sidomos në këtë periudhë.


“Gjatë pirjes së cigareve, gishtat janë në kontakt me buzët, gjë që rrit mundësinë e transmetimit të viruseve nga dora në gojë. Kjo i bën duhanpirësit më të prekshëm nga Covid-19 dhe për këtë arsye duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm”.

“Duhanpirësit gjithashtu tashmë mund të kenë sëmundje të mushkërive ose ulje të kapacitetit të mushkërive, gjë që mund të rrisë shumë rrezikun që vjen nga sëmundjet serioze. Kushtet që rrisin kërkesat për oksigjen ose që zvogëlojnë aftësinë e trupit për ta përdorur atë në mënyrë të duhur, i vendosin pacientët në rrezik më të madh ndaj sëmundjeve serioze të mushkërive siç është pneumonia”, ka shkruar Filipçe.

Ndryshe, në vendin tonë numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 1225, prej të cilëve 200 janë shëruar, ndërsa 54 kanë ndërruar jetë./Telegrafi/