Venezuela ka liruar nga burgu shtetas të Shqipërisë, Çekisë, Hungarisë, Holandës dhe Gjermanisë dhe shteteve të tjera, njoftuan disa nga këto vende.

Lirimi i tyre është pjesë e një vale të lirimeve nga burgu pasi Shtetet e Bashkuara arrestuan presidentin e rrëzuar, Nicolas Maduro.


Një burrë nga Çekia që u lirua ishte në burgjet venezuelase që nga viti 2024, kur autoritetet në Venezuelë e akuzuan atë se planifikonte të merrte pjesë në një komplot për të vrarë Maduron dhe për të rrëzuar Qeverinë, raportuan mediat në Republikën Çeke.

Ministria e Jashtme e Çekisë kishte deklaruar vitin e kaluar se një shtetas çek ishte arrestuar pa “ndonjë aktakuzë dhe pa një gjykim të drejtë”. Grupi venezuelas për të drejtat e njeriut, Foro Penal, tha se ai u arrestua për arsye pilitike.

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Petr Macinka, tha se ai u lirua së bashku me të burgosur të tjerë nga Shqipëria, Irlanda, Rumania, Gjermania, Ukraina dhe Holanda.

Ende nuk dihet se sa është numri i shqiptarëve të liruar nga burgjet në Venezuelë dhe ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar për këtë çështje.

“Pas negociatash prej disa javësh, kemi arritur lirimin e tij”, tha Macinka gjatë një konference për media, duke shtuar se Republika Çeke është e gatshme që të përmirësojë raportet diplomatike me Venezuelën.

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, shkroi në X se janë liruar tre shtetas gjermanë, duke e cilësuar si “gjest drejt raporteve më konstruktive”.

Holanda tha se tre shtetas të saj janë liruar, ndërkaq Hungaria njoftoi për lirimin e një shtetasi të saj që kishte qenë në një anije kërkimore.

Jorge Rodriguez, president i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, kanë deklaruar se një numër i madh i të burgosurve do të lirohen pasi SHBA-ja kapi Maduron në fillim të janarit.

Venezuela tha gjatë kësaj jave se më shumë se 400 persona janë liruar, por grupet për të drejtat e njeriut kanë deklaruar se numri i të liruarve është më i vogël./Radio Evropa e Lirë/