Shoqata e Mullisëve të Kosovës duke komentuar masën e vendosur nga MTI-ja ndaj miellit nga Serbia, ka thënë se kjo masë, sado që është e ulet, do t’i mundësojë fabrikave të miellit të mbijetojnë dhe të vazhdojnë të furnizojnë Kosovën me miell dhe njëkohësisht të shërbejnë mbi 25.000 bujq prodhues të grurit në Kosovë.

Sipas Shoqatës, kjo kategori e fundit, bujqit prodhues të grurit, janë të një rëndësie të veçanet sepse janë ata që sigurojnë grurë dhe ulin varshmërinë e Kosovës për grurë nga importi.

“Gruri ka rendësi të veçanet në sigurimin e stabilitetit social në Kosovë. Dihet se nga gruri prodhohet mielli dhe se familjet kosovare ushqimin kryesor e kanë bukën. Në Kosovë janë diku 90 mullinjë nga të cilët vetëm 40 janë aktive, 10 të tjerë janë aktivë kohë pas kohe dhe të tjerët janë mbyll pikërisht nga konkurrenca jo e drejte që vije nga prodhuesit serbe të cilët me gjasë janë të subvencionuar. Janë mbi 2000 punëtor që punojnë në industrinë e përpunimit të grurit në Kosovë”, thuhet në komunikatën e shoqatës, e cila ka falënderuar MTI-në.

Në vendimin e MTI-së, të cilin e ka siguruar redaksia e KosovaPress-it, thuhet se ky vendim është bazuar në Memo-në shpjegues të Departamentit të Tregtisë dhe Komisionit për vlerësimin e masave në import të datës 19.10.2017-të, ku Dogana e Kosovës udhëzohet që të ndërmarr të gjitha masat për mbrojtjen e prodhuesve të miellit duke aplikuar tarifën në masën prej 0 .04 centë. /Telegrafi/