Vendimi i PZAP-it për Listën serbe dhe reagimi i Ambasadës britanike – kur pritet të certifikohen zgjedhjet?

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mbledhjen e së shtunës të 31 janarit nuk i shpallën rezultatet përfundimtare për Listën serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Pas kësaj, kjo parti ka dorëzuar ankesë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Çka ndodhi pastaj?
PZAP kishte konfirmuar për Telegrafin se kishte pranuar gjithsej 7 ankesa lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 28 dhjetorit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas të dhënave të publikuara ankesat ishin paraqitur nga subjekte të ndryshme politike dhe kandidatë, kryesisht për parregullsi në procesin e votimit dhe vendimmarrjen e KQZ-së.
Ankesat janë dorëzuar nga: Lista Serbe – ankesë ndaj vendimit të KQZ-së; Nova Demokratska Stranka (NDS) – dy ankesa për parregullsi gjatë votimit; koalicioni PAI–PDAK–LPB – ankesë për parregullsi me fletëvotime; Bekim Haxhiu – dy ankesa, njëra lidhur me shpërndarjen e ulëseve në Kuvend dhe tjetra për parregullsi gjatë numërimit të votave me postë dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) – ankesë për parregullsi gjatë procesit të votimit.
Lidhur me këto ankesa, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), më 03.02.2026, ka aprovuar vetëm ankesën e Listës Serbe, kurse i ka refuzuar gjashtë ankesa të tjera.
PZAP ka vendosur që të shpallet rezultati përfundimtar për këtë parti dhe kandidatët e saj.
Sipas vendimit, PZAP bën të ditur se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës si dhe arsyetimit të KQZ-së të përmbajtur në vendimin e ankimuar të datës 31.01.2026, me numër protokolli Nr.01/156/2026, vlerëson se një qëndrim i tillë nuk mund të pranohet si i drejtë dhe i ligjshëm, pasi është në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme.
Reagimet ndërkombëtare?
E pas këtij vendimi të PZAP-it, ka reaguar Ambasada Britanike.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka vlerësuar se vendimi i Panelit riafirmon të drejtën e komuniteteve jo-shumicë dhe të gjitha subjekteve politike për të marrë pjesë plotësisht në procesin demokratik, siç garantohet nga Kushtetuta dhe legjislacioni përkatës.
“Ne presim që përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë legjitime të jenë në gjendje të marrin detyrën dhe t’u shërbejnë qytetarëve që i kanë zgjedhur”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Tutje, ambasada britanike ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar mbështet proceset zgjedhore transparente dhe të bazuara në rregulla në Kosovë, duke inkurajuar institucionet dhe aktorët politikë të respektojnë vendimet e institucioneve demokratike dhe të mbështesin integritetin e kornizës zgjedhore.
“Një proces zgjedhor i besueshëm dhe gjithëpërfshirës është thelbësor për stabilitetin demokratik të Kosovës dhe për forcimin e besimit midis të gjitha komuniteteve”, përfundon reagimi.
Si shkon procedura tani?
Tash, pas përfundimit të çështjes së ankesave pritet edhe certifikimi i zgjedhjeve të 28 dhjetorit.


Neni 106 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme thotë se KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha ankesat që u përkasin votimit dhe numërimit të vendosura nga PZAP-i dhe çdo ankesë ndaj vendimeve të PZAP-ja lidhur me to të jetë vendosur nga Gjykata Supreme e Kosovës.
Tutje, në ligj thuhet rezultatet e zgjedhjeve janë përfundimtare dhe detyruese atëherë kur janë certifikuar nga KQZ-ja.
Ndryshe, sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse. /Telegrafi/.




















































