LAJMI I FUNDIT:

Vëllezërit që e financonin Qeverinë e Vlorës

Vëllezërit që e financonin Qeverinë e Vlorës

Bektash bej Cakrani si edhe vëllai i tij Hajredin bej Cakrani, ishin dy personazhe me peshë specifike në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe në mëkëmbjen e shtetit të brishtë shqiptar, duke ofruar pa kursim jo vetëm angazhimin e tyre patriotik, por edhe pasurinë familjare.

Në qeverinë e Vlorës, Bektash bej Cakrani ishte emëruar si ministër i Thesarit. Në një kohë kur nuk kishte asnjë burim financiar, ai e paguante Qeverinë e Vlorës me të ardhurat e familjes, përgjatë gjithë vitit 1913. Ai i financonte të gjithë shpenzimet që do t’i duheshin turit diplomatik të Ismail Qemalit, kur ai udhëtonte drejt Londrës së bashku me Luigj Gurakuqin, Isa Boletinin dhe të tjerë anëtarë të delegacionit shqiptar, për të siguruar kufijtë e shtetit të sapokrijuar shqiptar.


Ky fakt del qartë në një letër (origjinali frëngjisht) që Bektash bej Bakrani ia shkruan vëllait të tij Hajredin bej Cakranit, duke i kërkuar me urgjencë t’i dërgojë në Vlorë para të mjaftueshme për 10 vetë, që do të qëndronin në Londër për 20 deri 25 ditë, ndërsa thekson se monedhat duhet të ishin lira floriri, pasi ato këmbeheshin atje.

“(Shumë sekrete!  I dashur vëlla Hajredin!

Unë do të doja të vija vetë në këtë punë urgjente, por ne duhet të përgatisim disa gjëra të nevojshme për nesër. Ismail Beu ka udhëzuar njerëzit që do marrë dhe të shkojnë me të jashtë vendit, mes anijeve greke që lundrojnë Sazanit dhe Karaburunit, për të arritur tek anglezët për çështjen e kufirit, punë që Mehmet Beu e filloi në dhjetor.

E keqja që ndodhi në Stamboll ka ndihmuar serbët dhe grekët, dhe ajo që po ndodh me serbët në veri dhe në jug me grekët, nuk premton asgjë të mirë.

Po ju dërgoj njeriun tim të besuar që të njoftosh sonte me urgjencë Sulo Beun dhe të dy duhet të sillni lira flori, se ato shkëmbehen andej, për 10 vetë që do venë tek anglezët dhe për të ndenjur atje 20-25 ditë, se ata duhet të duken fisnikë.

Unë nuk kam para të mjaftueshme me vete për këtë punë të madhe, se ndodhi fare e papritur.

Nxitoni për të takuar e mbaruar këtë punë me Sulo Beun dhe nesër në mëngjes ju duhet të jeni në Vlorë me gjithë të holla, puna është urgjente, nuk ka kohë.

Bektash Bej”. /Tesheshi/