Veç fjalë, asgjë e re

Në fakt numri një i futbollit kroat na ka bërë një nder të madh kur ka thënë se do të pranonte të luante me Kosovën, por sipas tij kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur Kosova të pranohet nga FIFA, gjë të cilën do ta bënte edhe Shqipëria, Turqia e shumë kombëtare tjera. Kjo i bie se asgjë e re nuk ka ndodhur.
“Do të luanim në Prishtinë me Përfaqësuesen e Kosovës, por vetëm atëherë kur FIFA t’i lejojë ata të luajnë ndeshje miqësore”, kjo ishte deklarata e Shukerit dhënë mediave boshnjake ditën e enjte, i cili në njëfarë forme i ka plotësuar dëshirën e kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri që kishe thënë se dëshiron që miqësorja e parë e Kosovës të zhvillohet me Kroacinë.
Gjithsesi, një miqësore me Kroacinë është një lajm i mirë, por dilema është se sa është i realizueshëm. Janë shumë arsye që na bëjnë pesimistë se kjo mund të realizohet në një të ardhme të afërt. E para përveç që FIFA po heziton t’i lejojë Kosovës të luajë ndeshje ndërkombëtare, një fakt tjetër është infrastruktura që nuk ta mundëson të zhvillosh ndeshje ndërkombëtare.
Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës janë optimistë se më 5 dhjetor do të marrin lajme të mira, në bisedimet që tashmë kanë nisur mes dy federatave, të Kosovës dhe të Serbisë dhe besohet se pikërisht 5 dhjetori do t’i sjellë rezultatet e pritura. Zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fazli Berisha, ka thënë se ato fjalë të Davor Shukerit nuk janë të rastësishme, sipas tij kryetari Vokrri ka marrëdhënie të mira më të dhe se deklaratat e tilla janë të mirëseardhura.
“Ajo deklaratë është e mirëseardhur, por në këtë moment nuk mund të flasim asgjë për realizimin e asaj ndeshjeje. Ne po i presim rezultatet e takimit të 5 dhjetorit dhe të shohim”, tha Berisha duke konfirmuar se ata janë duke lobuar maksimalisht që më në fund të vijë pranimi.
“Ju e dini që këto takimet e fundit mbahen për Përfaqësuesen A, ne ato modelet e mëhershme nuk i kemi pranuar, kështu që po besojmë në rezultate të mira. Ajo që mund t’ju them në këtë moment është se Federata e Futbollit e Kosovës është e gatshme dhe në momentin kur të marrim dritën e gjelbër mund të organizojmë ndeshje”, tha Berisha i cili nuk ka dashur të përcaktojë nëse ajo ndeshje do të jetë me Kroacinë apo ndonjë skuadër tjetër.“Më rendësi është të ndodhë pranimi, sa i përket përfaqësueses së parë do të shohim me kohë se cila do të jetë”, përfundoi Berisha.
Mirëpo, edhe nëse Kosova ka fatin që t’i pranohet e drejta të zhvillojë ndeshje miqësore, pyetja është se ku mund të luhet ajo. Ditë më parë vetë përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki për gazetën tonë ka kërkuar infrastrukturë më të mirë. Ai ,mbulimin e stadiumit të Prishtinës e ka cilësuar si vepër të mirë, por se këtij objekti i mungojnë edhe shumë gjëra, madje edhe tualetet për shikues. Gjë kjo që automatikisht na bën pesimistë se ne jemi gati për të zhvilluar ndeshje miqësore ndërkombëtare në Kosovë. /Zëri/Telegrafi/




















































