LAJMI I FUNDIT:

Vdes Valdet Gashi, një nga pionierët e stripit në Kosovë

Vdes Valdet Gashi, një nga pionierët e stripit në Kosovë
Valdet Gashi (djathtas), i shoqëruar nga Shpend Kada (majtas) dhe artisti belg me nam botëror, Herman Huppen (në mes), në GRANFest

“Me pikëllim të madh morëm lajmin se është ndarë nga jeta Valdet Gashi – Vala, një artist i pashoq dhe pionier i strip skenës kosovare. Për ne do mbetet i pavdekshëm si autor dhe skenarist i stripave te shkëlqyeshëm, mes të cilave është edhe seriali i dashur për publikun “Cullët” si dhe “Arta Fantastike”, ndërsa opusi i tij përfshinë me qindra faqe e tablo tjera”, thuhet në njoftimin e publikuar tek faqja Festivalit Ndërkombëtar të Romanit Grafik, “GRANFest”

Që nga vitet 80-të, Vala ishte në ballë të përpjekjeve për të legjitimuar stripin dhe romanin grafik si formë artistike – një status ky që ky art e ka me decenie në vendet e zhvilluara të botës, por që fatkeqësisht në Kosovë nuk e kishte. Falë angazhimit të atyre pak njerëzve siç ishte Valdeti, stripi dhe romani grafik ngadalë, por sigurt, e ka hapur rrugën e vet dhe e ka zënë vendin e vet edhe në kulturën kosovare.


Edicioni i parë i GRANFestit, që u mbajt vitin e kaluar, është një prej arritjeve të kësaj përpjekjeje pjesë qenësore e së cilës ishte edhe Valdeti.

“Në edicionin e parë të GRANFestit, Valdeti ndau me ne optimizmin se arti i nëntë ka të ardhme në Kosovë dhe ndër shqiptarë, dhe këtë optimizëm ai e dëshmoi me punën e vet, e cila përfshinë edhe romanin grafik ‘Të nemurit’, për të cilin Valdeti shkroi skenarin, ndërsa vizatues është Shpend Kada. Fatkeqësisht, Valdeti nuk arriti të shoh edhe botimin e veprës së tij të fundit. Por, GRANFest do të bëjë gjithë atë që mundet që kjo vepër maestrale të publikohet dhe që publikut kosovar të ketë rastin të shoh nivelin e lartë artistik të veprës. Për fund, të themi edhe se shuarja e Valës nuk është vetëm humbje për artin dhe adhuruesit e tij. Është humbje për gjithë ata që më së shumti e vlerësojnë njerëzoren, sepse Valdeti ishte mishërim i virtyteve më të larta njerëzore. Bashkëndjejmë me familjen e tij dhe të gjithë miqtë. U prehtë në paqe artisti, shoku dhe familjari i përkryer”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e GRANFestit.