LAJMI I FUNDIT:

Vdes studiuesi i folklorit, Fazli Syla

Vdes studiuesi i folklorit, Fazli Syla

Studiues i folklorit, një prej dokumentuesve të rrallë të vargut popullor shqiptar, veprimtari shumëvjeçar i arsimit e i kulturës, Fazli Shala, vdiq sot në moshën 85-vjeçare.

Syla u lind në Istog në vitin 1935. Kreu studimet e larta për gjuhë dhe letërsi shqipe në Shkup, më 1960, kurse studimet pasuniversitare në Universitetin e Zagrebit më 1973. Tezën e disertacionit të doktoratës e mbrojti në Universitetin e Prishtinës, më 1979.


Punoi fillimisht në gazetari dhe në arsimin e mesëm, kurse më 1978 u zgjodh të ligjëronte për letërsi në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.

Në vitet 1983-1991 ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, zëvendësdrejtor dhe pastaj drejtor i këtij institucioni gjatë viteve 1986-1991. Është marrë me studimin e poezisë popullore, kryesisht me këngët epike historike. Nga kjo fushë ka botuar disa vepra.

Ka marrë pjesë në hartimin e projekteve afatgjate për zhvillimin e arsimit, shkencës dhe të kulturës, veçmas gjatë periudhës së autonomisë së Kosovës kur ishte sekretar krahinor për kulturë.