LAJMI I FUNDIT:

Vdes ragbisti i njohur shqiptar

Vdes ragbisti i njohur shqiptar

Futbolli amerikan ka mbetur i shokuar me lajmin e vdekjes së papritur të të riut shqiptar Serxho Guraleci. 22 vjeçari ka ndërruar jetë teksa po stërviste me ekipin Wayne State.

Shqiptari më i njohur i futbollit amerikan, Serxho Guraleci ka ndërruar jetë të hënën në Macomb County, ndërsa ishte duke bërë stërvitje me bashkëlojtarët. Ishin të kota përpjekjet e bashkëlojtarëve, por edhe të mjekut që erdhi pas 7 minutash që ta rikthejnë atë në jetë.

Guraleci, i cili ishte pjesë e ekipit amerikan Wayne State vdiq në moshën 22 vjeçare dhe dyshohet se ai pati një atak kardiak.


“Vdekja e tij ishte e papritur dhe humbja e tij është një humbje e madhe në futbollin amerikan”, ka thënë i përlotur kapiteni i ekipit, Steve Goralski.

Edhe trajneri Paul Winters e ka përjetuar rëndë vdekjen e papritur të të riut shqiptar, i cili ishte në kulmin e karrierës.

“Guraleci ishte duke e përjetuar ëndrrën e tij amerikane të cilën shijonte me suksese të shumta, ndërsa buzëqeshja e tij do të mbetet gjithmonë në mendjen time”.

Sipas dëshirës së tij, të cilën ai e kishte shprehur para shokëve dhe familjarëve të tij, Guraleci thoshte gjithmonë se, nëse një ditë vdes, do të dëshironte të varrosej në vendlindjen e tij, në Shqipëri.

Klubi i futbollit amerikan ‘Sterling Heights Stevenson’ ka hapur një llogari bankare për të mbledhur para që ta dërgojnë trupin e pajetë të të riut në atdheun e tij. /Telegrafi/