LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon të dobësohet rimëkëmbja ekonomike e Kinës

Vazhdon të dobësohet rimëkëmbja ekonomike e Kinës

Banka Popullore e Kinës (PBOC) ka ulur një nga normat kryesore të interesit për herë të dytë në tre muaj, ndërsa ekonomia e vendit po përpiqet të rikthehet në nivelin e para pandemisë COVID-19.

Rimëkëmbja e vendit është goditur nga një krizë pronash, rënia e eksporteve dhe shpenzimet e dobëta të konsumatorëve.


Ekonomistët prisnin që banka gjithashtu të ulte normën e saj kryesore të kredisë pesëvjeçare, me të cilën janë të lidhura hipotekat e vendit.

Javën e kaluar, problemet e saj serioze në tregun e pronave u theksuan kur gjiganti i pasurive të paluajtshme Evergrande i goditur nga kriza paraqiti kërkesën për mbrojtje nga falimentimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në të njëjtën javë, shifrat zyrtare treguan se Kina kishte rënë në deflacion për herë të parë në më shumë se dy vjet.

Importet dhe eksportet e Kinës ranë ndjeshëm muajin e kaluar pasi kërkesa më e dobët botërore kërcënoi perspektivat e rimëkëmbjes së vendit.

Pekini gjithashtu ka ndaluar publikimin e shifrave të papunësisë te të rinjtë, të cilat u panë nga disa si një tregues kryesor i ngadalësimit të vendit.

Në muajin qershor, shkalla e papunësisë në Kinë për grupmoshën 16 deri në 24 vjeç në zonat urbane arriti një rekord prej më shumë se 20 për qind. /Telegrafi/