Vazhdon protesta e transportit publik në Prishtinë - qyteti mbetet pa autobusë edhe sot

Prishtina edhe sot ka mbetur pa transport publik, kjo për shkak se protesta e operatorëve të transportit publik do të vazhdoj edhe sot.
Kjo situatë e krijuar që nga java e kaluar ka shkaktuar vështirësi të mëdha për qytetarët që përdorin linjat urbane për të lëvizur brenda kryeqytetit.
Kryetari i Sindikatës së Trafikut Urban, Ilmi Gashi ka theksuar se protesta e tyre do të vazhdojë deri në momentin kur Komuna e Prishtinës ta shlyejë borxhin ndaj operatorëve publikë dhe atyre privatë.
Gashi ka theksuar se sigurimi i fondeve të nevojshme për pagesa dhe stabiliteti i shërbimeve të transportit urban janë dy kërkesat bazë të kësaj greve. Sipas tij, vendimi është marrë të premten, por ende nuk ka arritur për vërtetim në Ministrinë e Financave.
Ndërkaq edhe Tarfiku Urban në një njoftim të bërë para disa ditëve ka thënë se e shohin të arsyeshme dhe të domosdoshme që të gjitha institucionet përgjegjëse, përfshirë ministrinë përkatëse, të përshpejtojnë të gjitha procedurat e transferimit, në mënyrë që ndërmarrja të mund t’i kthehet menjëherë shërbimit publik.
“Deri në përmbushjen e këtyre obligimeve, dhe për sa kohë mbetet e pamundur të rifillojmë operimin, protesta e paralajmëruar nga punëtorët e Trafikut Urban do të vazhdojë. Me të bërë të qasshme mjetet financiare, shërbimi i transportit publik do të rikthehet pa asnjë vonesë”, thuhej në njoftim. /Telegrafi/

















































