Vazhdon greva e punëtorëve të Pastrimit, kryetari i Sindikatës kërkon zgjidhje nga Komuna e Prishtinës

Mospajtimet ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes Pastrimi po vazhdojnë tash e disa muaj. Ndërmarrja Pastrimi ka ndërprerë shërbimet për mbledhjen e mbeturinave, duke deklaruar se është në krizë financiare për shkak të Komunës së Prishtinës.
Punëtorët e pastrimit janë në grevë prej disa ditësh para objektit të Komunës. Kryetari i sindikatës së Pastrimit, Ardian Krasniqi, ka thënë për Telegrafin se greva do të vazhdojë dhe se deri më tani nuk ka pasur asnjë zgjidhje të situatës.
"Nuk kemi pasur asnjë bisedë më askend. Deri tash nuk është lajmëruar askush. Jemi në pritje, jemi të gatshëm për çdo bisedë që na ofrohet, për me bo zgjidhje. Kërkesat tona janë të njëjta, nuk ka diçka risi", tha ai.
Ndërsa, i pyetur për akuzat e drejtorit të Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, i cili ka deklaruar se punëtorët po nxiten nga kryeshefi i Ndërmarrjes "Pastrimi", Petrit Reçica, ai mohoi akuzat duke deklaruar "Ne nuk jemi politikë, ne drejtorin e Pastrimit nuk e kemi zgjedh, na e kanë sjell komuna".
Ai po ashtu tha se Brestovci me thirrjet e tij që qytetarët të mos paguajnë për mbeturina te "Pastrimi" e ka shkaktuar këtë gjendje.
"Rregullorja është e qartë. Ai po bën thirrje që qytetarët të mos paguajnë te Pastrimi mbeturinat. Ne jemi në terren, e njohim Prishtinën, e njohim qytetarët. Ka qytetarë që na kanë thënë nuk do të pagjumë as te Komuna e Prishtinës e as të Ndërmarrja Pastrimi. Më këto thirrje na ka pruar në këtë gjendje", potencoi ai.
Ndryshe, punëtorët e Ndërmarrjes së Pastrimit kanë deklaruar se Komuna e Prishtinës i ka borxh kësaj kompanie 2.7 milionë euro. Ata kërkojnë gjithashtu që t’u paguhen borxhet për derivate dhe mirëmbajtjen e kamionëve.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, ka deklaruar se greva e punëtorëve është e motivuar tërësisht nga të pavërtetat e shpërndara nga kryeshefi i ndërmarrjes, transmeton Telegrafi.
“Greva e punëtorëve të ndërmarrjes Pastrimi është e motivuar komplet nga të pavërtetat e Kryeshefit të tyre, Petrit Reqica se gjoja Komuna i ka ndërmarrjes një borxh prej 2.7 milion euro. Ndjej keqardhje per këta njerëz punëtor të cilët ranë viktimë e një keqmenaxhimi të ndërmarrjes nga kryeshefi Reqica i cili ndërmarrjen në vend që ta bëjë konkurruese në treg e bëri aset elektoral të partisë politike të cilës ai i takon”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe, ndërmarrja “Pastrimi”, ka ndërprerë shërbimet tash e disa ditë, duke deklaruar se janë në krizë financiare./Telegrafi/



















































